Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kush luftoi e kush bëri dredhi dhe komplote?!/ Rrëfimi për Betejën e Koshares: Fakte përballë “tendencës” për falsifikim të historisë

 
   

Këto ditë po shënohet 25 vjetori i zhvillimit të Betejës së Lavdishme të Koshares, e cila nisi më 9 prill të vitit 1999 dhe zgjati deri më 10 qershor të vitit 1999.

Kjo betejë u zhvillua në kuadër të Operacionit Shigjeta, ndërmjet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së) dhe Ushtrisë Jugosllave (JNA-së), rreth Koshares në kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë gjatë Bombardimit të Serbisë nga NATO.

Për veprimtarin nga diaspora, Haki Latifi, beteja e Koshares ishte njëra ndër hallkat më të fuqishme në zinxhirin e pakëputshëm të historisë kombëtare dhe si e tillë do të përkujtohet gjithmonë ndër shqiptarë.

“Beteja e 9 prillit të viti 1999, njohur ndryshe edhe si beteja që çau kufirin shqiptaro-shqiptar shënoi një pikë kthese mjaft të rëndësishme në luftën e UÇK kundër okupatorit serb.

Në Kosharen e lavdishme u flijuan heronjtë Salih Çekaj, Agim Ramadani, Xhemajl Fetahu e shumë dëshmorë të tjerë, të cilët iu bashkuan përjetësisë.

Suksesi dhe fitorja e kësaj beteje, bëri që të shembet muri gati njëqindvjeçar i vënë padrejtësishtë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë. Por, fatkeqësisht shumë ngjarje të historisë sonë më të re, jo vetëm që po shpjegohen në mënyra të njëanshme, por edhe po falsifikohen siç po bëhet edhe me Betejën e Koshares”, ka thëhë Latifi për gazetën “Bota sot”.

Ai shprehet se Beteja e Koshares ishte vula e lirisë së munguar në tokat shqiptare.

 Image
 Haki Latifi 
 

“Sakrifica e bijve e bijave shqiptare nga të gjitha trojet dëshmoi për papajtueshmërinë dhe gatishmërinë e shqiptarëve për t’i luftuar padrejtësitë që u ishin bërë atyre përgjatë një shekulli. Thyerja e kufirit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë më 9 prill të vitit 1999, shënoi jo vetëm një fitore morale për UÇK-në, por ajo i hapi rrugë furnizimit me armatim dhe mbështetje logjistike për shumë zona të luftës në brendësi të Kosovës. Ndërkohë, ajo e rriti shpresën e mijëra të dëbuarve që vija e hekurt ishte thyer dhe kthim në tokën e të parëve ishte jo vetëm i mundur, por edhe i pashmangshëm”, thekson ai.

Latifik përkujtoi se historia e thyerjes së kufirit ka filluar nga njësia me emrin “Grupi i Tretë Operativ” (GO-3), në gjirin e së cilës bënin pjesë Brigada 131 që komandohej nga Rrustem Berisha, Brigada 134 që komandohej nga Salih Çekaj dhe Batalioni Diverzanto-Vëzhgues ’’ Delta’’ që komandohej nga Anton Çuni.

“Agim Ramadani ishte zëvendës komandant i Brigadës 131 (që nga formimi i saj nga Ministria e Mbrojtjes dhe Ahmet Krasniqi në qershor 1998) dhe Kryeshef i Shtabit të njësisë ushtarake GO-3. Ndërsa Salih Çekaj ishte zëvendëskomandant për moral dhe çështje politike të Brigadës 134, komandant i së cilës ishte ushtaraku madhor Tahir Zemaj gjatë kohës sa i kreu detyrat ushtarake në Kosovë. Brigada 134, bërthamat e brigadave 131 dhe 133 patën hyrë në Kosovë në mënyrë të organizuar në qershor të vitit 1998 pas arritjes së Marrëveshjes për bashkimin e Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës dhe UÇK-ës, që e arritën Adem Demaçi dhe Ahmet Krasniqi në Osllo të Norvegjisë.

Latifi: Është e domosdoshme të ndriçohen të gjitha ngjarjet

Ndërkaq, punën më të madhe në aftësimin e njësive dhe përpilimin e Planit Operativ për thyerjen e kufirit e kanë bërë Agim Ramadani, Salih Çekaj, Anton Çuni, Xhafer Gashi, Hysen Berisha etj. Ndërsa kanë marrë pjesë në përgatitjen e planit operativ dhe aftësimin e njësive operative edhe këta eprorë : Feriz Tërshnjeva, Skënder Hasangjekaj, Musa Gjakova, Skënder Rexhahmetaj, Farush Thaçi, Isuf Haklaj, Musa Dragaj, Sabahate Tolaj, më vonë edhe Sadri Lokaj, Adem Dahri, Naser Vllasi, Afrim Bekaj, pastaj Milazim Maraj, Gani Gjukaj etj”, ka theksuar ai.

Sipas z. Haki Latifi, njëra ndër çështjet më me rëndësi të historiografisë shqiptare është që të ndriçohet jo vetëm Beteja e Koshares por edhe Beteja e Logjes me Komandant, Tahir Zemaj.

“Është e domosdoshme të ndriçohen të gjitha ngjarjet dhe ndeshjet luftarake që u zhvilluan në Kosovë në mes UÇK-së dhe policisë dhe ushtrisë serbe në bazë të fakteve të vërtetuara, e jo në bazë të dhënave të pa vërtetuara që po i qesin në opinion komplotistët e UÇK-së, dhe argatët e tyre, me qëllim të falsifikimit të ngjarjeve historike.

Pra, është një gjë e thjeshtë, nuk duhet për të shkrirë shumë mend, për të kuptuar se kush e pengoi luftën çlirimtare, kush i theu marrëveshjet, kush mbolli përçarje, kush nuk e dëgjoi zërin e arsyes dhe zërin popullit, kush luftoi për Kosovën dhe çlirimin e saj, e kush bëri dredhi dhe komplote kundër saj, kush ishte kundër institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës dhe kundër popullit të shumëvuajtur.

Do të ishte më e udhës që të thuhet nga pjesëmarrësit që edhe janë të obliguar ti demantojnë të thënat e disave që tentojnë të uzurpojë merita të atyre që luftuan dhe fituan këtë betejë e cila është më e vështira dhe vendimtarja kundër okupatorit çetnik serb.

Për kundër pengesave që kishin në realizimin e detyrave ushtarake, me këtë gjendje nuk u pajtuan një pjesë e oficerëve atdhetar, të departizuar, që çështjen kombërare e venin mbi interesat partiake, grupore dhe personale, siç ishin Salih Çekaj, Agim Ramadani, Anton Quni, Tahir Zemaj, Sylejman Kollçaku, Nazif Ramabaja, Xhafer Gashi, Gani Ahmetaj, Musa Gjakova, Bashkim Kalaveshi, Sadri Lokaj, Fadil Hadërgjonaj, Gjon Gjuka, Skënder Rexhahmetaj, Hisen Berisha e shumë tjerë, emrat e të cilëve nuk po më kujtohen momentalisht, të cilët bënë çfarë ishte e mundur për kryerjen e detyrave që kishte Ministria ndaj Kosovës dhe kombit”, nënvizon ai.

Fatmirësisht, Latifi shprehet se planet e komplotistëve nuk u realizuan.

“Beteja e Koshares pati sukses. Për tri ditë lufte u muarën të gjitha pikat strategjike që i parashihte plani operativ. Armiku pati humbje të mëdha në njerëz dhe në mjete të luftës. Kjo tregon se lufta nuk është lojë fëmijësh por është art që përpos mençurisë, trimërisë dhe dijës së ushtarëve veç e veç, donë edhe udhëheqje profesionale, udhëheqje të ndërgjegjshme e të aftë. Nuk është çudi që Beteja e Koshares u fitua, edhe pse ushtria e shkaut kishte disa fish më tepër ushtarë, kishte armatime moderne dhe pozita të fortifikuara, që ju mundësonin mbrojtje të suksesshme, moralit të lartë luftarak dhe Atdhetar të ushtarëve dhe ushtarakëve të njësive operative të UÇK-së, që i komandonin oficerët tanë trima dhe atdhetarë të Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës. Është e rëndësishme të ceket se drejtuesit ushtarakë të Betejës së Koshares e thyen rregulloren e komandimit, ata (Sali Çekaj, Agim Ramadani etj.) vetë u prinë ushtarëve në vijën e parë të frontit”, ka theksuar ai.

Kur flasim për rolin e formimit të brigadave, Latifi përkujton se Brigada 131 dhe Brigada 134 kanë një histori të lavdishme, kanë flamujt e tyre luftarak.

Ai thotë se ishte Salih Çekaj dhe Agim Ramadani, që e përcollën rritjen e brigadave të tyre, të cilat u kalitën në flakën e luftës, të cilat u aftësuan në beteja duke e goditur armikun, që u rritën në beteja për ta shpëtuar popullsinë nga masakrat e armikut, dhe u bënë të lavdishme në beteja për ta neutralizuar vënerin e përçarjeve ndër shqiptare që i krijuan karrjeristët dhe partiakët e shtir dhe spiunët e armiqve tanë, që depërtuan në të gjitha subjektet politike dhe ushtarake të shqiptarëve.

“Mendoj se, me gjithë dallimet vlerësuese nga akterë të ndryshëm si nga politika po ashtu edhe nga lufta, Beteja e Koshares, shënon misionin më kompleks luftarak i ndërmarrë rrafshin ushtarak në shkallë të gjerë, që nga dita (D) 09.Prill 1999 në Koshare. Është lufta më e madhe e zhvilluar në disa beteja si tërësi e operacioneve të ndërlikuara luftarake. Është beteja më e përgjakshme luftarake, me 114 Dëshmorë, të gjithë (Heronjtë të Kosovës), qindra të plagosur dhe mijëra luftëtarë në front, përkatësisht operacioni më i madh luftarak i UÇK-së, i realizuar fillimisht nga Grupi i Tretë Operativ, (O-III ), përkatësisht Brigada 138 “AGIM RAMADANI”- Zona Operative e Dukagjinit.
Andaj lufta e Koshares si tërësi dhe dëshmorët e saj në veçanti do të mbesin simbol i pietetit të lartë dhe nderit të kombit shqiptar duke u kurorëzuar në bërjen e shtetit të pavarur të Kosovës.

Ne u falemi me atyre me nderime, sakrificës së Agim Ramadanit, Sali Çekajt, Xhemajl Fetahut dhe shumë dëshmorëve të tjerë që ranë për lirinë e Kosovës. Ata qëndrojnë në themele të lirisë dhe të shtetësisë sonë.

Dëshmorët e kombit janë ajri, dielli, fuqia, frymëzimi, krenaria, besnikëria, ardhmëria, ngrohtësia e gjithë Kombit shqiptarë. Duke përkujtuar dëshmorët dhe respektuar familjet e tyre i bëjmë nder gjithë atdheut. Më e mira për ne sot është të kujtojmë heroizmin dhe trimërinë e dëshmorëve tanë. Qoftë i përjetshëm kujtimi për të gjithë Dëshmorët e kombit dhe ju qoftë i lehtë dheu i shtrenjtë i tokës Dardane mbi varret e tyre”, përfundoi ai.

Në betejën e Koshares ranë heroikisht 114 dëshmorë.