Gazetarja Anduena Llabani thotë se disa prokurorë të SPAK kanë marrë kërcënime nga persona me precedentë penalë. E ftuar në një emision televiziv, ajo tha se bëhet fjalë për prokurorë që merren me çështje të zyrtarëve të lartë apo me dosjen “Metamorfoza”.
“Janë gati 5 prokurorë të SPAK që ruhen në siguri totale ata dhe familja e tyre. Kjo ka ardhur si pasojë e disa shantazheve që iu janë bërë që në gjuhën gazetareske quhen kërcënime por në atë juridike nuk cilësohen si kërcënime reale. Ka pasur tendenca nga persona me precedentë penalë apo me të kaluar kriminale që kanë guxuar të shkojnë tek familjarët e prokurorëve. Pjesa më e madhe janë marrë me rastin e çështjes “Metamorfoza” dhe prokurorë që kanë dosje të ish zyrtarëve të lartë.
Ata që mbijnë në ekrane dhe bëjnë deklarata kaq të hapur që për mua nuk më duket kaq infantile fakti që këta politikanë dalin dhe flasin me zë e figurë dhe bëjnë me domosdo lidhjen e SPAK me politikën por ka raste evidente që në dijeninë time kanë filluar edhe hetimet.
Janë interesuar edhe faktorët ndërkombëtarë. Në rastin konkret nuk kam një informacion që ka shkuar deri më kërcënime me jetë por di të them që prokurorë dhe familjarë të tyre sot ruhen me badigardë”, tha gazetarja.