Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka shqyrtuar kërkesën buxhetore të Kuvendit të Kosovës për periudhën 2024, mirëpo nuk është hedhur në votim kjo kërkesë për shkak të mungesës së vendimmarrjes.
Kërkesa e Kuvendit për buxhet shtesë është mbi 1.4 milionë euro për punësimin e stafit mbështetës politik personal për deputetë të Kuvendit që bëhet fjalë edhe për vizitës, si dhe për punëtorë tjerë në administratë.
Sekretar i përgjithshëm i Kuvendit të Kosovës, Arben Loshi, në mbledhjen e këtij Komisioni ka thënë se vetëm për programin e stafit mbështetës politik nevojiten 984 mijë euro. Kjo kërkesë, sipas tij vjen edhe si rrjedhojë e miratimit të Rregullores së Kuvendit.
Sekretari Loshi ndërkaq theksoi se për kategorinë mallra dhe shërbime nuk kanë paraparë rritje të buxhetit.
Megjithatë, anëtarët e Komisionit nga radhët e Vetëvendosjes kanë vlerësuar se deputetët kanë nevojë për mbështetje profesionale, jo teknike me makina e shoferë.
“Pas miratimit të Rregullores së Kuvendit të Kosovës për shtesa mbi pagën bazë për deputetët dhe për pagat e stafit mbështetës politik, veç ka filluar negocimi i stafit mbështetës politik personal për deputetë të Kuvendit. Në programin për mbështetësit e stafit politik është paraparë rritja e numrit të punësuarve për 27. Në administratën e Kuvendit është paraparë rritja e numrit e të punësuarve për 9 pozita. Pra, kërkesa shtesë për kategorinë e pagave për vitin 2023 në shumën 1 milionë e 441 mijë euro. Te programi për anëtarë Kuvendi për deputetët kemi një shumë të rritjes prej 213 mijë euro, te program i administratës së Kuvendit për paga kemi një rritje prej 334 mijë euro. Ndërsa, te programi stafit mbështetës politik kategoria e pagave shtesë kemi një rritje prej 984 mijë euro. Kjo rrjedh prej Rregullores që është miratuar për stafin për deputetët”, theksoi Loshi.
Anëtari i Komisionit nga VV-ja, Eman Rrahmani theksoi se është me rëndësi që deputetët të kenë zyra dhe jo luks me makina e shofer.
“Është më rëndësi që deputeti të ketë kushte të punës jo të ketë luks me makina e shofer, por është e nevojshme një zyrë ku punon, për shkak se deputetët e kuvendit nuk kanë as ambientin ku me zhvilluar aktivitetin e tyre. Fatmirësisht prej këtij muaji do ta kemi edhe nga një mbështetës, i cili do të ndihmojë, mirëpo fatkeqësisht besoj që ata do t’i kryejnë detyrat e tyre prej jashtë, ndoshta edhe prej shtëpive të tyre, për shkak që nuk ka zyra të deputetit. Pra, është e pa mundur që një deputet të bëjë punën ashtu sic duhet me këto kushte, për shkak që nuk ekzistojnë kushtet elementare të punës për një deputet. Ne këtu kemi ndoshta dhjetë ambiente që deputetëve ju mundësohet me pirë duhan deputetëve dhe administratës, mirëpo nuk e kemi asnjë zyrë për deputetë. Kemi hapësira që nuk shfrytëzohen fare edhe tash e 20 vjet figura e deputetit është më shumë figurë që e orienton e dirigjon dikush tjetër se sa ai vet mandatin”, theksoi Rrahmani.
Edhe kryetari Komisionit, Armend Muja ka thënë se Kuvendi dhe deputetët kanë nevojë për mbështetje profesionale dhe jo teknike.
“Insistimi ynë ka qenë që të kemi mbështetje profesionale askush nuk po mendon që deputetët duhet me pasur shofer, këto pozita si komision nuk I kemi mbështetur, kështu që deputetët duhet me pasur mbështetje profesionale, jo mbështetje teknike. Mbështetje profesionale ka nevojë deputeti, sepse lexohen shumë materiale, ndodhë të kemi edhe 1 mijë faqe që duhet me i proceduar, atë mbështetje nuk e kemi ne”, ka thënë Muja.
Ndërsa, deputetja Duda Balje ka ngritur çështjen përse vetëm kryetarët e Komisioneve nuk do të kenë asistentë shtesë.
“Ju keni planifikuar 120 asistentë për 120 deputetë, veç kryetarët e komisioneve janë jashtë këtij programi për shkak të mungesës së buxhetit. Nëse është me Rregullore dhe me ligj për 120 asistentë, qysh keni pasur mundësi me na anashkaluar veç kryetarët e komisioneve”, theksoi Balje.
Për këtë, zyrtarë të lartë financiare të Kuvendit u përgjigjen se plotësimi i këtyre pozitave nuk mund të bëhet derisa nuk bëhet plotësim ndryshimi i Buxhetit për vitin 2023.
Kuvendi parasheh punësimin e 27 punëtorëve, prej tyre 14 për 14 kryetar të Komisioneve parlamentare, që aktualisht nuk janë në numrin e lejuar të të punësuarve për vitin 2023. Po ashtu gjashtë vozitës për kryetar të Grupeve Parlamentare, si dhe nga një këshilltar politik për pesë nënkryetar të Kuvendit.