Seanca plenare me një pikë të vetme të rendit, “Propozimi për inkuadrim në ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut”, ka filluar në Kuvend.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në fjalimin e tij në seancë tha se propozimi është rezultat i një debati shumëmujor, tërësisht i hapur, transparent, ekspertësh dhe politik.
Sipas tij, propozimi për ndryshimin e Kushtetutës ka një relacion dhe motiv të vetëm, hyrjen në Bashkimin Evropian (BE), që është kërkesa dhe pritja e shumicës dërrmuese të qytetarëve.
“Propozimi është i yni, maqedonas, i cili bazohet në propozimin dhe marrëveshjen evropiane të vitit 2022, me të cilën vendi më në fund i hapi negociatat për anëtarësim pas shumë vitesh pritje”, u shpreh Kovaçevski, duke i hedhur poshtë tezat e rreme për atë se ka një diktim.
Ai siguroi se ndryshimet kushtetuese nuk kërcënojnë asnjë çështje identiteti maqedonas.
“Me miratimin e propozimit, të marrim një vendim që të mos qëndrojmë në vend, të mos numërojmë në vend, të mos presim përsëri, por të ecim drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian dhe të arrijmë objektivin e vendosur për anëtarësim të plotë deri në vitin 2030”, theksoi kryeministri Kovaçevski, duke rikujtuar se për herë të parë është nënshkruar marrëveshje në gjuhën maqedonase me BE-në, konkretisht me Frontexin.
Duke folur për propozimin që duhet të votohet në Kuvend, Kovaçevski tha se ndërhyrjet e propozuara në Kushtetutë i referohen vetëm shtimit të kombeve në Preambulë, si dhe në nenet 49 dhe 78, shkruan KP.
Kovaçevski shpjegoi se në pjesën ku është “Qytetarët e Maqedonisë së Veriut, populli maqedonas, shqiptar, turk, vllehë, serbë, romë, boshnjakë”, do të shtohen edhe “populli bullgar, kroat, malazez, slloven, hebre dhe egjiptian”.
Duke informuar edhe rreth procesit të skriningut që po zhvillohet në Komisionin Evropian, ai potencoi se kjo “rrjedh në gjuhën maqedonase dhe me shumë sukses”.
“Ne duhet të vazhdojmë edhe më tej, t’i hapim dhe mbyllim kapitujt, një nga një. Ky proces është më së paku administrative, ky proces është thelbësor sepse duhet të na ndryshojë, të na transformojë, të na bëjë më të suksesshëm. Ky është vendimi ynë, nevoja jonë dhe për këtë vendosim në Shkup, jo në Bruksel, aq më pak në Sofje”, theksoi Kovaçevski, duke deklaruar se kërkesa të reja nuk do të ketë, si dhe çështjet dypalëshe nuk janë pengesë.
Tags: Dimitar KovaçevskiKuvendi në ShkupMaqedonia e Veriut