Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Kuvendi s’ka kuorum për votimin për emërimin e shtatë anëtarëve të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore

 
   

Kuvendi i Kosovës nuk pati kuorum për emërimin e shtatë anëtarëve të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore. Anëtarët e propozuar për votim ishin Artan Krasniqi, Fahri Sheqiri, Besarta Reshica, Enis Salla, Zanita Halimi, Arianit Buqinca dhe Sllagjana Boshkoviq. Partitë opozitare nuk kanë marrë pjesë në votim, teksa kanë kërkuar që ky proces të kthehet në pikën zero.

Deputetja e Lidhjes Demokratike e Kosovës, Vlora Dumoshi ka kërkuar nga deputetët që të mos votojnë për emërimin, meqë konsideroi se janë përzgjedhur militantë partiak.

Dumoshi: Procesi duhet të kthehet në pikën zero

“Ne kemi konstatuar që nuk ka gjithë përfshirje të fushave sipas kritereve të konkursit. Shumica e kandidatëve të përzgjedhur janë sociologë, etnologë por jo edhe historianë, që ka qenë një nga kriteret e konkursit. Po ashtu, janë përzgjedhur militantët partiak, siç është rasti i Fahri Shaqirit nga Qendra e Vetëvendosjes në Bardhosh. Prandaj, ne mendojmë që procesi duhet të kthehet në pikën zero. Po ashtu si komision kemi pranuar tri ankesa nga kandidatët dhe asnjë ankesë nuk është shqyrtuar. Kjo është një shkelje procedurale e cila është bërë gjatë këtij konkursi”, deklaroi Dumoshi.

E deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ardian Gola tha se kjo përbërje reflekton vullnetin politik të komisionit.

Gola: Kjo përbërje është reflektim i vullnetit politik të komisionit

“Kjo përbërje është reflektim i vullnetit politik të komisionit, i cili është përcaktuar për një metodë të veçantë të vlerësimit dhe poentimit. Në vitin 2021 kur kemi zgjedhur përbërjen aktuale, në fakt kjo që tashmë është në largim konsensualisht krejt komisioni në mënyrë profesionale jemi marrë ndoshta në tri-katër mbledhje për të nxjerrë një formulë e cila është shumë e saktë dhe produkti i të cilës kemi menduar që do të reflektojë vullnetin dhe unitetin politik të komisionit. Ka qenë një metodë goxha e sofistikuar”, shtoi ai.

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri tha se nuk do të marrin pjesë në këtë proces të votimit.

Tahiri: Ne nuk do të marrim pjesë në votim

“Nuk mundet as profesor Gola e askush prej deputetëve me ndal procesin e ankimimit të njerëzve të cilët mendojnë se u kanë bërë të padrejtë në atë proces. Unë nuk kam qenë pjesë e procesit e dëgjova deputeten Dumoshi se cfrarë tha. Unë mendoj që as nuk i keni votat për ta kaluar, ne nuk do të marrim pjesë as nuk do të bëjmë kuorum, as nuk do të marrim pjesë në këtë proces të votimit. Kërkoj prej shumicën parlamentare për të parë se a janë 80 deputetë brenda në mënyrë që t’i kalojmë marrëveshjet ndërkombëtare”, u shpreh ai.

Në votimin për emërimin e këtyre anëtarëve kanë marrë pjesë vetëm 58 deputetë.