Veprimtari shqiptar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ramazan Bekteshi në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar vizitën e të dërguarit të Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në Kosovë.
Ai foli edhe mbi mesazhet dhe deklaratat që Escobar i bëri për Kosovën, derisa tha se ka kohë që emisari amerikan është në përplasje me qeverinë Kurti.
Madje, tha se veprimet e Escobar-it s’i ngjajnë një diplomacie të mirëfilltë amerikane por një bullizmi të paparë në marrëdhëniet Kosovë-SHBA.
“Ka kohë që emisari amerikan G. Escobar është në përplasje me Qeverinë e Kosovës. Ai me çdo kusht do që kërkesat e tij të plotësohen edhe atëherë kur s’është racional dhe i arsyeshëm, duke e gjet palën kosovare në pozitë më të dobët, jo për shkak të paaftësisë së qeveritarëve tanë, sepse ajo për herë të parë është me superior se pala serbe në paraqitje në arenën ndërkombëtare, por për shkak të rrethanave të reja gjeostrategjike. Fatkeqësisht veprimet e Escobar-it s’i ngjajnë një diplomacie të mirëfilltë amerikane por një bullizmi të paparë në marrëdhëniet Kosovë-SHBA.
Ka kohë që Escobar-i përdor trysninë diplomatike dhe taktika kërcënuese ndaj qeverisë së Kosovës, se marrëveshjet do të bëhen me Kurtin apo pa Kurtin. Ka kohë që Eskobar e fton në Uashington DC opozitën, takohet shpesh që mundësisht ti përdor si alternativë për të arritur qëllimet e veta. Fatkeqësisht qëllimet e tij janë shumë të përafërta me Vuçiqin dhe shumë të largëta me ambiciet e Kosovës. Escobar-i padrejtësisht i ve kushte anëtarësimit të Kosovës në KE edhe pse kjo është një çështje e evropianëve”, theksoi veprimtari nga SHBA-ja.
Veprimtari shqiptar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ramazan Bekteshi
“Edhe pse pozita e Hillit është më e ulët se e Escobar-it, ndikimi i dhe përvoja e Hill-it e tejkalon fuqinë e rangut të Escobar-it”
Krahas kësaj, Bekteshi e cilësoi si skandaloze deklaratën e Escobar se Kurti i ka rënduar marrëdhëniet me SHBA-në dhe BE-në.
Ai tha se emisarit amerikan nuk po i bëjnë përshtypje aktivitetet luftënxitëse të Vuçiqit.
“Escobar-i, para vizitës së tij të fundit në Kosovë dha një deklaratë skandaloze, se Kurti i ka rënduar marrëdhëniet jo vetëm me SHBA-në por edhe me BE-në, derisa e gjatë vizitës KM e takoi të fundin. Në anën tjetër, kur është fjala për palën serbe edhe pse me veprime anti-amerikane e pro-ruse, Escobar-i e kursen Vuçiqin, duke luajtur një lojë të keqe e pa rregulla. Escobar-it s’i bëjnë përshtypje aktivitetet luftënxitëse të Vuçiqit në Bosnje, Mal të Zi e Kosovë, as lidhjet gjithnjë më të ngushta me Putinin, Kinën e Iranin, as mos aplikimi i sanksioneve ndaj Rusisë.
Por, për sa kohë Escobar-i mbetet emisar në Ballkan, fjala e tij do të ketë peshë edhe kur është e njëanshme, sepse ai ka arritur t’i koordinoj marrëdhëniet e punës me Ambasadorët Hill e Hovenier dhe zyrtarët e DASH-it sidomos deklarata e James O’Brien e trimëroi edhe më shumë Escobar-in për dinarin. Edhe pse pozita e Hillit është më e ulët se e Escobar-it, ndikimi i dhe përvoja e Hill-it e tejkalon fuqinë e rangut të Escobar-it”, theksoi ai.
“Vendosmëria e Kurtit që të mos lëshoj pe për çështje kruciale nacionale është e drejte legjitime”
Në vazhdim, veprimtari shqiptar foli edhe mbi rolin dhe misionin e ambasadorit amerikan në Serbi, Christopher Hill.
“Misioni i Hill-it për të bind Serbinë që të largohet nga orbita ruse ka dështuar keq, Serbia kurrë s’ka qenë më afër Rusisë, mirëpo, ai vazhdon të këmbënguli se një gjë e tille është e mundur, duke vazhduar të ledhatojnë Vuçiqin pakushte edhe kur urdhëron agresion paramilitar ndaj një vendi sovran që e ka njohur SHBA-ja, duke rrezikuar dhe poshtëruar edhe misionin e KFOR-it, respektivisht të NATO-s”.
Krahas kësaj, Bekteshi e vlerësoi lartë vendosmërinë e kryeministrit Albin Kurti në shtrirjen e sovranitetit në tërë territorin e Kosovës, derisa kritikoi ashpër partitë opozitare dhe qasjen e tyre ndaj vendimeve të qeverisë.
“Veprimi i Kurtit me vendosmëri në veri të Kosovës dhe shtrirja e sovranitetit si asnjëherë më parë, kanë lëne vakum në qeverisjen e vendit në shumë fusha. As ky handikap s’po e këndellë opozitën që në mënyrë konstruktive të dali me ide praktike që do tu jepte përparësi prioriteteve shtetërore. Çuditërisht, opozita po mbytet në pellgun e kritikave frenetike ndaj Kurtit, bilës shpesh ia kalojnë edhe Serbisë. Deklaratat e opozitës të lënë përshtypje se halli i tyre i vetëm është si të grabisin sërish pushtetin se për veprime e kauza as që bëhet fjalë.
Vendosmëria e Kurtit që të mos lëshoj pe për çështje kruciale nacionale është e drejte legjitime, sepse nga e kaluara kemi nxjerr leksion, se sa më bashkëpunues që kanë qenë qeveritë e kaluara me ndërkombëtarët aq më keq ka pësuar Kosova, qoftë me Asociacionin, demarkacionin, Gjykatën speciale, tokat e manastireve etj. Fatkeqësisht, vendimet dhe firmat e vëna më herët duhet t’i gëlltisë kjo qeveri”, nënvizoi veprimtari shqiptar.
Më tej, ai shpjegoi se arsyeja kyçe se pse po zvarritet dialogu Kosovë-Serbi ëshë Asociacioni.
Po ashtu, ai mbështeti qeverinë në çështjen e dinarit, ku e cilësoi se të drejtë legjitime dhe në përputhje me kushtetutën e vendit.
“Kryefjala e gjithë këtij dialogu të stërzgjatur e të stërkequr mbetet Asociacioni, dhe sa më këmbëngulës por racional të jetë faktori politik, fiton Kosova. Rrethanat e krijuara janë këto që janë, por vendosmëria dhe veprimi në sinkron është imperativ.
Çështja e dinarit është e drejtë legjitime e kryeministrit të veproj konform kushtetutës, por jehona e madhe e trysnisë ndërkombëtare, se gjoja dinari e afekton jetën e qytetarit serb e bëjnë edhe më të prekshme situatën në sytë e botës, andaj KM duhet t’i japi kohë kësaj çështje, sepse dinari nuk është një çështje që ka peshën e Asociacionit, andaj nevojitet fleksibilitet i qeverisë. Këmbëngulësia për dinarin kurrë s’do të duhej të behej mollë sherri me ndërkombëtarët.
Qeveria duhet ta dijë limitin e saj, dhe duhet të vlerësoj se a ia vlen barra qirasë për të këmbëngul në çështje jo jetike. Me komunitetin ndërkombëtar s’duhet assesi të prishen marrëdhëniet, por njëkohësisht duhet vepruar me mendësinë e sovranit e jo të nënshtruarit kur bëhet fjalë për çështje të sovranitetit të vendit”.
Në fund, Bekteshi u shpreh se dyshja Kurti-Osmani duhet ta formulën edhe për dinarin për shkak te jehonës dhe trysnisë nga ana e ndërkomëbtarëve.
“Deri në këto momente edhe pse me trysni dhe rrethana të rënduara ndërkombëtare, tandemi Kurti-Vjosa punon në mënyrë solide, njeri si këmbëngulës e tjetra si bashkëpunuese me ndërkombëtarët, një formulë që i duhet për momentin Kosovës. Më në fund, ky tandem duhet ta gjej formulën edhe për dinarin për shkak te jehonës dhe trysnisë që ka përfituar çështja, këmbëngulësia ne këtë rast nuk sjell përfitime. Çështja e dinarit nuk është vetëm kërkesë e Escobar-it por edhe e bashkësisë ndërkombëtare.
Kultivimi i marrëdhënieve me ndërkombëtarët dhe sjellja si shtet sovran është rruga e vetme që duhet ndjekur, derisa kjo nuk mund të realizohet pa bashkëpunim të faktorit gjithë shqiptar. Zgjedhjet në SHBA janë me rëndësi qenësore për botën, rajonin dhe Kosovën, andaj është koha për veprim të qeverisë dhe posaçërisht komunitetit shqiptaro-amerikan që ishte avangardë e pavarësisë së Kosovës por që gjithmonë mbeti faktor i nënvlerësuar në Kosovë dhe si pasojë rezultatet duken”, përmbylli Ramazan Bekteshi për “Bota sot”.