Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Ky është 27-vjeçari që dyshohet se shkrepi armën në Ferizaj, u arrestua pas disa ditësh në arrati

 
   

Një person është arrestuar sot nga Policia në Ferizaj, pasi i njëjti dyshohet se gjuajti me armë dhe kanosi një person në lokalin ‘Ultra Internet Caffe’. I dyshuari menjëherë pas kryerjes së veprës ishte arratisur nga vendi i ngjarjes.

Gazeta mëson ekskluzivisht se i dyshuari është Mirand Azemi, 27-vjeçar.

E gjithë situata dyshohet të ketë ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të së dielës, ku pas një konflikti verbal me punëtorin e lokalit, Azemi dyshohet se eskaloi në sjellje agresive, duke përdorur madje edhe armën që bartte me vete.

Siç mëson gazeta gjithçka nisi me refuzimin e punëtorit që ta shërbejë të dyshuarin me alkool, pas kërkesës së këtij të fundit – duke eskaluar kështu situata.

Të njëjtat burime thonë se i dyshuari posa ka dalë nga lokali, e ka shkrepur armën dhe më pas ishte zhdukur.

Policia njofton se nga i dyshuari, është sekuestruar edhe arma që dyshohet se u përdor në rast.

“Pas një pune intesive hetimore, grumbullimit të informacioneve në terren dhe shikimit të kamerave të sigurisë, hetuesit kanë arritur që të  identifikojnë dhe me datën 05.03.2024 të arrestojnë të dyshuarin M.A ( M/K), i moshës 27 vjeçar, tek i cili është gjetur arma e zjarrit, me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale përdorimi i armës së zjarrit dhe kanosje”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Kanosje’ dhe ‘Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm’.