Enver Shabani drejtor i Shërbimeve në Suharekë dhe Berat Kabashi zyrtar në drejtorinë e shërbimeve publike/menaxher i kontratës u arrestuan ditë më parë nga Policia pasi dyshohen se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare me qellim të përfitimit të kundërligjshëm për vete apo persona te tjerë. E për të njèjtën vepër, Policia arrestoi sot edhe personin e tretë i cili është biznesmen.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë të ditur se i arrestuari është Bujar Seferaj, i cili udhëheq kompaninë SEFERI-CO SH.P.K.
Sipas njoftimit nga Policia, Seferaj, me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë.
“I dyshuari në bashkëveprim me persona zyrtar të komunës së Suharekës dhe menaxherin e kontratës pas përpilimit të procesverbaleve dhe situacioneve fiktive si dhe raportit fiktiv për kryerën e punëve lidhur me ketë tender, kompania ka lëshuar faturat për realizim të punëve me çka edhe janë realizuar pagesat nga komuna e Suharekës, ku në realitet punët apo shtrimi i rrugëve sipas kontratës nuk është realizuar”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Gjykata Themelore në Prizren, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prizren, duke ua caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh (secilit veç e veç), Enver Shabanit, drejtori i Shërbimeve Publike në Suharekë dhe Berat Kabashit, zyrtar i Komunës së Suharekës.
Ata po dyshohen se i kanë shkaktuar mbi 74 mijë euro dëm komunës përmes keqpërdorimit me tenderin e rrugës në Mushtisht.