Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër të pandehurit me inicialet S.T, i nacionalitetit serb.
Burime të medias thonë se bëhet fjalë për Sllagjan Trajkoviq, ish-pjesëtari i Policisë së Kosovës.
Më poshtë njoftimi i plotë i Prokurorisë Speciale:
Prokuroria Speciale njofton se aktakuza kundër të pandehurit të lartcekur është ngritur për shkak të dyshimit se gjatë kohës së luftës në Kosovë, në periudhën kohore 1998-1999, në fshatin Reznik, komuna e Vushtrrisë dhe në fshatrat përreth të rajonit të Vushtrrisë, individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë, duke shkelur rëndë rregullat e të Drejtës Ndërkombëtare si pjesëmarrës i forcave policore dhe ushtarake serbe ka kontribuar në vrasje, bastisje, rrahje, maltretimit, arrestimit, torturë, trajtim në mënyrë mizore dhe çnjerëzore, mbajtja në kushte skllavërie, dëbimin dhe depërtimin të mijëra civileve shqiptarë si dhe masat e plaçkitjes, djegies dhe shkatërrimit të shtëpive të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptarë që nuk kanë marrë pjesë drejtpërdrejtë në konflikt me ç’rast ka shkelur rëndë rregullat e të drejtës ndërkombëtare gjatë kohës së luftës, konkretisht nenin 3 paragrafin 1 shkronja a, b, c, të përbashkët me katër konventa (1a dhe b) të përbashkët për katër Konventat e Gjenevës të datës 12 Gusht të vitit 1949 dhe Protokollet shtesë (protokollin I).
Me këto veprime i pandehuri S.T. në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të panjohur të njësisë së përmendur të policisë serbe dhe persona tjerë të armatosur dhe të uniformuar ka kryer veprën penale ‘’Krimet e luftës kundër popullatës civile’’, e paraparë dhe e dënueshme sipas nenit 142 dhe 22 të Ligjit Penal të ish Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë aktualisht i inkriminuar si krime kundër njerëzimit nga nenin 143 paragrafi 1 nënparagrafi 1.4, 1.6 dhe 1.7 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.