Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Lajçak njoftohet në Bruksel me sfidat me të cilat ballafaqohen shqiptarët e Luginës

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi dhe kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu sot në Bruksel takuan emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi dhe për çështje tjera në Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak, të cilin e kanë njoftuar me sfidat me të cilat ballafaqohen shqiptarët e Luginës.

Lutfiu, mes tjerash ka shkruar se e kanë njoftuar Lajçakun për hezitimin dhe mosgatishmërinë e shtetit për të integruar shqiptarët nëpër institucione shtetërore e për gatishmërinë që sistemi shtetëror e ka treguar për pasivizimin e shqiptarëve.

“Mosintegrimi  i shqiptarëve në institucione i bënë institucionet jokredibile e diskriminuese, ndërsa aplikimi  i pasivizimit tendencioz në vendet ku jetojnë shqiptarët, mundëson ndryshimin e strukturës etnike në ato vendbanime. Medvegja është shembulli më i mirë. Njoftuam z. Lajçak për rëndësinë dhe impaktin që për të diplomuarit nga Lugina do të kishte njohja e diplomave të Kosovës dhe se njohja e tyre do të nënkuptonte mundësi për një perspektivë të re për Luginën”, shkroi në Facebook ai.