Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Lajçak takohet me Nënsekretaren amerikane, flasin për situatën në veri të Kosovës dhe daljen nga kriza

I dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka njoftuar se është takuar me Nënsekretaren amerikane të Shtetit, Victoria Nuland, me të cilën ka folur lidhur me situatën në veri të vendit dhe gjetjen e një rrugëdalje.

Përmes një postimi në Twitter, Lajçak ka thënë se kanë rënë dakord për rëndësinë e de-përshkallëzimit të situatës dhe kthimit në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Pata një bisedë shumë të mirë me nënsekretaren amerikane të Shtetit, Victoria Nuland. Ndamë të njëjtin vlerësim për situatën në veri të Kosovës dhe zgjidhjen e saj. U pajtuam për rëndësinë e de-përshkallëzimit të menjëhershëm dhe kthimit në dialogun e ndërmjetësuar nga BE”, ka shkruar Lajçak.

Ndryshe, i dërguari i posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, së bashku me të Dërguarin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në një intervistë dhënë për “Atlantic Council” u shprehën të shqetësuar për situatën në veri të Kosovës.

Emisari amerikan, Escobar ka thënë se është shumë i brengosur për situatën, e sipas tij kjo mund të shndërrohet në një konflikt rajonal.

“Jam shumë i brengosur, ka mundësi që të shndërrohet në konflikt rajonal. Ata duhet të pranojnë marrëveshjen evropiane në këtë drejtim, ata kanë pranuar planin nuk ka opsion tjetër përveç de-eskalimit të situatës dhe kthimin në tryezën e bisedimeve. Më duhet të them se bashkësia ndërkombëtare është shumë e bashkuar në këtë drejtim”, tha Escobar në një paraqitjen me Ilva Taren.

Edhe Përfaqësuesi Special i BE-së, Miroslav Lajçak tha se prioritet është shtensionimi i situatës në komunat veriore, de-eskalimi i dhunës dhe kthimi te procesi i normalizimit, përfshirë këtu mbajtjen e zgjedhjeve, ndërsa theksoi se nuk mund ta përballojnë të ketë viktima, nëse situata nuk shtensionohet.