Serbët nga veriu i Kosovës kanë besuar vitin e fundit se ushtria serbe do të kthehet në Kosovë dhe se ky është produkt i lajmeve të rreme që i janë servuar popullatës.
Ky është konstatimi i redaktores së portalit në gjuhën serbe “Kossev”, Tatjana Lazareviq, shkruajnë mediat serbe.
Veç këtyre, gazetarja ka theksuar se atmosfera në Mitrovicë krahasohet me Irlandën e Veriut, gjegjësisht me Belfastin dhe kujton se presidenti serb Aleksandar Vuçiq ishte i pari që e tha publikisht këtë në vitin 2021.
“Unë nuk do të hyja në ato paralele. Do të thosha se (sulmi në Banjskë) është akti i tretë i dramës. Nuk ka rënë nga qielli, pavarësisht se i gjithë komuniteti nga veriu u gjend në një lloj tronditjeje. Më duhet të them se në tri vitet e fundit, e sidomos vitin e kaluar, është përhapur një narrativë, gjegjësisht një lajm i rremë, i cili është mirëpritur nga serbët – se Serbia kurrë nuk ka qëndruar më mirë në skenën ndërkombëtare dhe se qeveria e di se çfarë po bën, si dhe se ushtria do të vijë”, citohet të ketë thënë ajo.
Lazareviq shpjegon se ky besim ka ardhur nga vendimi i autoriteteve serbe për t’u tërhequr nga institucionet e Kosovës.
“Kishte një narracion se ushtria serbe do të kthehej dhe se lajmet e rreme u ushqyen me shumë kujdes paralelisht me intensifikimin e krizës në veri. Jam e sigurt se ajo është ushqyer nga strukturat serbe… Në veri, serbët janë një komunitet i vogël, ai lajm është përhapur përmes kanaleve të verifikuara, nëse jo – gojë më gojë…”, ka thënë më tej Lazaveriq.
Ajo vlerëson se serbët kanë përjetuar një “dush të ftohtë” pas ngjarjeve në Banjskë, por gjithashtu thekson se së shpejti “do të sillet sërish ndonjë histori e ngjashme”.
“Kjo nuk është hera e parë që publikohet lajmi për kthimin e ushtrisë në Kosovë”, ka thënë redaktorja e portalit “Kossev”.
Ndërsa duke folur për Milan Radoiçiqin, ajo ka thënë se ai është “projekt i qeverisë” së Serbisë.
“Unë ende e shoh si një projekt të qeverisë. Kur e them këtë, dua të them se mund të jenë edhe autoritete zyrtare edhe parashtetërore…”, ka thënë ndër tjerash Lazareviq.