Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe disa nga anëtarët e kryesisë së kësaj partie, kanë reaguar ndaj sulmeve të bëra kundrejt kësaj partie nga partia në pushtet dhe koalicioni AAK-NISMA.
I pari i LDK-së, përmes një postimi në Facebook, ka thumbuar koalicionin AAK-NISMA duke i quajtur “fronti i bashkuar opozitar”.
“Qenkan marrë sot me mua edhe nga pushteti edhe nga “fronti i bashkuar opozitar”. Shihni se kur është në pyetje LDK-ja, të dyja, se ç’na bëhen bashkë. Ndoshta po bëhen gati për bashkëpunim të gjatë. Ndoshta matjet e bëra, këto pa propagandë, po u japin frikë në palcë”, ka shkruar Abdixhiku.
Andixhiku tha se Rruga e Re e LDK-së është zgjidhja dhe sipas tij zgjidhje nuk është as pushteti dhe as koalicioni AAK-NISMA.
Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili tha se akterë të VV-së “moti merren me LDK-në”.
“Kur flasin për LDK ata të cilët para se të vinin në pushtet kishin NDALESË të hynin në Kosovë; Kur flasin për lidership ata që Kosovën ose e zhvatën, ose nuk e besuan kurrë si projekt të përhershëm; Ne na mbetet vetëm të hamendësohemi nëse heshtja ka më shumë peshë se reagimi kur ballafaqohet me injorancë!” ka shkruar ajo në Facebook.
Anëtarja e kryesisë së LDK-së, Sibel Halimi tha se nuk është i rastësishëm mobilizimi sulmues ndaj LDK-së, si nga pushteti ashtu edhe nismat opozitare.
“Nuk është i rastësishëm mobilizimi sulmues ndaj LDK-së, si nga pushteti ashtu edhe nismat opozitare; është veçse frikë nga “Rruga e Re”, që tanimë ka trasuar orientimin me qytetarët që e duan një Kosovë, përtej realiteteve fiktive paralele të krijuar nga ky pushtet. Propagandave po i vije fundi! Kosova meriton më mire”, ka shkruar ajo.
Kurse Visar Azemi tha se mobilizimi dhe rritja e LDK-së duket se përveç pushtetit, po i frikëson edhe opozitarët.
“Mobilizimi dhe rritja e LDK-së duket se përveç pushtetit, po i frikëson edhe këta opozitarët që e kërkojnë shpëtimin te njëri-tjetri përmes koalicioneve e të ashtuquajturave fronteve opozitare. LDK, duke mos qenë si asnjëra, duket se është pengesë për të dy palët. Rruga e Re është projekti që në bosht ka qytetarët, të cilët përditë po shtojnë radhët tona”, ka shkruar Azemi.
Kryetarja e Forumit të Gruas në LDK, Jehona Lushaku-Sadriu tha se kjo parti po sulmohet për shkak të rritjes së saj.
“Vetëm një parti me program të ri, me qasje rugoviste, me projekte prosperuese e me histori shtetformuese e do shtetin, e ruan shtetin dhe do të dijë ta zhvillojë atë”, ka shkruar ajo.
Sipas Lushakut, LDK-ja me Lumir Abdixhikun kryeministër është zgjidhja.