Lidhja Demokratike e Kosovës ka njoftuar se Këshilli i Përgjithshëm ka miratuar qëndrimin e Lumir Abdixhikut dhe të kryesisë për zgjedhjet e parakohshme “kryeministri duhet të japë dorëheqje për dështimet e tij në çdo fushë, pastaj të bëhet shpërndarja e Kuvendit dhe krejt në fund të caktohet data e zgjedhjeve”.
“Unanimisht Këshilli i Përgjithshëm po ashtu miratoi qëndrimin e kryetarit, Lumir Abdixhiku dhe të Kryesisë lidhur me zgjedhjet e parakohshme në vend, ku qëndrimi i Lidhjes Demokratike mbetet i njejtë. Kryeministri duhet të japë dorëheqje për dështimet e tij në çdo fushë, pastaj të bëhet shpërndarja e Kuvendit dhe krejt në fund të caktohet data e zgjedhjeve.”
LDK poashtu ka aprovuar kuotën e ndarjes së nominimeve për listën e deputetëve nëpër degët e partisë.
Është vendosur që në listën e kandidatëve për deputetë të jenë të gjithë kryetarët e komunave të LDK’së.
“Gjatë kësaj mbledhje, Këshilli i Përgjithshëm aprovoi kuotën e ndarjes së nominimeve për listën e deputetëve, nëpër degët e Lidhjes Demokratike. Në listën e kandidatëve për deputetë, do të jenë të gjithë kryetarët e komunave të LDK-së; kjo për arsye që e djathta të jetë sa më e fuqishme në zgjedhjet e ardhshme të Kosovës të cilat nuk kanë të bëjnë vetëm me fatin e LDK-së, por fatin e Republikës dhe gjeneratave që vijnë.”
Në fund, LDK thotë se “është e gatshme për zgjedhjet kurdo që mbahen në Kosovë, prandaj është e vetmja parti që po bën të gjitha përgatitjet dhe po vazhdon takimet me qytetarë anë e kënd vendit”.
Pak më parë, kryetari i PDK’së, Memli Krasniqi, në një konferencë për media, tha se ka dështuar ideja për shpërndarjen e Kuvendit, si rrugë për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.