“Zemër, ke dështu”, është titulluar aksioni simbolik i Forumit të Rinisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Të mbledhur para objektit të Qeverisë së Kosovës, të rinjtë e LDK-në kanë shpërndarë fletushka për qytetarët, në të cilat renditen dështimet e pushtetit.
“Me zemrën në darkë, për zemër jashtë vendit”, “Zemra të mban gjallë, por t’lëshon kur të vjen fatura”, “Zemrën plot, kuletën thatë”, janë disa nga fjalitë që tregojnë dështimet e Qeverisë në shëndetësi, në arsim dhe ekonomi.
Kryetari i Forumit të Rinisë së LDK-së, Paris Guri, tha para gazetarëve se përmes këtij aksioni simbolik po ia rikujtojnë Qeverisë që po u përfundon mandati me dështime në cdo fushë.
“Në vitin e saj të katërt, kjo qeveri po vazhdon me dështime në arsim, në shëndetësi, në ekonomi, në marrëdhënie ndërkombëtare, në ngritjen e mirëqenies së qytetarëve, në energji, dhe në secilën sferë tjetër”, tha Guri.
Sipas tij, të rinjtë e Kosovës dhe secili qytetar i Kosovës, është duke u përballur me depresion kolektiv të shkaktuar nga populistë të cilët kanë braktisur gjithçka, përfshirë edhe rininë.
“Çdo ditë qindra të rinj po nisen drejt Evropës sepse vendin ku lindën nuk po e shohin më si alternativë ndërsa perspektivën per realizimin e potencialit të tyre po e kërkojnë jashtë vendit. Me gjendjen e tanishme në Kosovë, askush nuk mund t’i fajësojë”, tha Guri.
Ai po ashtu tha se “sot në ditën e të dashuruarve, ne ja kujtojmë Qeverisë se dashuria për vendin tonë është më e madhe se gjithçka tjetër, dhe se e ardhmja na takon neve qe e shohim Kosovën si vend për të jetuar, e jo si diçka te përkohshme”.