Me Ligjin e ri për Zgjedhjet e Përgjithshme, jo vetëm procesi i votimit brenda vendit, por edhe votimi jashtë Kosovës ka pësuar disa ndryshime rrënjësore. Zëdhënës i KQZ-së, Valmir Elezi, ka shpjeguar procesin e votimit jashtë Kosovës, që nga koha e aplikimit dhe deri në momentin e votimit.
Sipas Elezit, procesi i votimit jashtë Kosovës përfshin dy faza kryesore, aplikimin për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës dhe votimin për të gjithë personat që arrijnë të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës.
“Procesi i votimit jashtë Kosovës në bazë të ligjit të ri përfshinë dy faza kryesore, e para aplikim për t’u regjistruar jashtë Kosovës. Gjatë fazës së parë, do të ketë një periudhë kohore kur shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë do të aplikojnë për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës. Dy janë mënyrat për të aplikuar për regjistrim: njëra prej tyre do të jetë aktive, behët fjalë për aplikimin për t’u regjistruar përmes platformës elektronike. Mënyra tjetër, por kjo mundësohet vetëm në rrethana të jashtëzakonshme, behet përmes postës, në një nga kutitë postare të KQZ-së. KQZ-ja mundëson regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës edhe përmes e-mailit personal”, shpjegoi Elezi.
Sipas tij, në momentin e regjistrimit, votuesit do të përcaktohen individualisht për mënyrën e votimit.
“Në momentin e regjistrimit, votuesit do të përcaktohen individualisht për mënyrën e votimit, fizikisht, në përfaqësi diplomatike apo në hapësira të tyre, të cilat shndërrohen në qendra të votimit, sipas kritereve të KQZ-së, duke dërguar fletëvotimet përmes kutisë postare të KQZ-së, në postën e Kosovës dhe duke dërguar fletëvotimet përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ-ja dhe me lehtësimin e përfaqësive diplomatike, jashtë Kosovës”, ka thënë Elezi.
Ndërkohë, gjatë fazës së dytë, e cila do të vlejë vetëm për shtetasit që kanë arritur të regjistrohen si votues jashtë Kosovës, varësisht se për cilën nga mënyrat e votimit është përcaktuar votuesi, do të jetë edhe periudha se kur votuesi do të mund të votojë.
“Sipas ligjit, votuesit që zgjedhin të votojnë përmes postës, pakot e tyre me fletëvotime mund t’i dërgojnë në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë, apo në adresë të kutisë postare jashtë Kosovës, të cilat hapen nga KQZ-ja me ndihmën e përfaqësisë diplomatike. Gjithashtu, me Ligjin e ri për Zgjedhjet e Përgjithshme, do të organizohet votim edhe në përfaqësi diplomatike për votuesit që kanë përzgjedhur këtë mënyrë të votimi. Votimi në përfaqësi diplomatike organizohet një ditë para ditës së zgjedhjeve në Kosovë. Numërimi i këtyre fletëvotimeve bëhet në Kosovë”, ka thënë Elezi.
Sipas ligjit, KQZ përmes akteve nënligjore përcakton kriteret dhe kushtet që duhet të përmbushin objektet e përfaqësive diplomatike të shndërruara në hapësira votimi si dhe do të përcaktojë numrin maksimal të votuesve që mund të votojnë për secilën përfaqësi diplomatike. Sipas ligjit, KQZ-ja në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme do të bëjë vlerësimin e hapësirave fizike për secilën përfaqësi diplomatike.