Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Lekaj për Kurtin: I vonuar në çdo aspekt, po proklamon projekte të filluara në qeverinë Haradinaj

Deputeti i Kuvendit nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, ka thënë se kryeministri Kurti projektet të cilat po i proklamon, janë të filluara gjatë mandatit të qeverisë Haradinaj.

Lekaj ka thënë se kryeministri Kurti është i vonuar në çdo aspekt.

“Ti kryeministër je i vonuar në çdo aspekt. Mos provo me mashtru popullin që kinse je duke realizuar projekte të mëdha (e as të vogla) kapitale. Këto çka po i proklamon si të tilla, janë të nënshkruara e të filluara gjatë mandatit të Qeverisë Haradinaj.

Merru me Zajednicën, ajo të shkon më shumë!”, ka thënë Lekaj.

Kryeministri Albin Kurti sot mori pjesë në inaugurimin e linjës hekurudhore Hani i Elezit-Fushë Kosovë, me ç’rast tha se sot shënohet një hap i rëndësishëm për hekurudhat e Kosovës.

“Sot po e shënojmë një çast vendimtar për hekurudhën në Republikën e Kosovës. Po e rindërtojmë linjën 10 që e lidhë Hanin e Elezit me Fushë Kosovën. Po hapim, në veçanti, dy tunele: njëri me gjatësi 262 metra dhe tjetri me gjatësi 122 m.,që kanë qenë të shembur tërësisht”, tha kryeministri Kurti.

Kryeministri tha se rreth 165 milionë euro është vlera e punimeve vetëm në segmentin e linjës 10, nga kufiri me Maqedoninë e Veriut deri në Fushë Kosovë, ndërsa mbi 200 milionë euro është vlera e punimeve që planifikohet në segmentin nga Fushë Kosova në Mitrovicë e nga Mitrovica në kufirin verior të Republikës së Kosovës.