Republika e Kosovës të shtunën shënoi 16-vjetorin e pavarësisë së saj. Më 17 shkurt të vitit 2008, Kuvendi i Kosovës shpalli pavarësinë e vendit, duke e bërë atë shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.
Të gjitha dikasteret në Kosovë, ishin të përgatitura për të kryer detyrat që i kishin para vetes në ditën e pavarësisë më 17 shkurt 2008.
Edhe mjekët kishin luajtur rolin e tyre që ishte shumë me rëndësi. Njëri ndër ta ishte edhe Basri Lenjani. Ai tha se dy ditë para se të shpallej pavarësia e morën vesh datën e saktë.
Kurse dy javë para se të shpallej pavarësia e Kosovës me 17 shkurt, ata kishin njohuri se pavarësia do të shpallej brenda dy javëve.
“Stafi menaxhues i atëhershëm i QKUK-së dhe të gjithë drejtorët e Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, kemi qenë në nivel të detyrës për të ofruar kujdesin emergjent mjekësor”, tha ai për ‘Lajmet e Fundit’ në RTK.
Ai tha se kishin bërë një plan veprimi që të ishin përgatitur për ditën e pavarësisë me të gjitha kapacitetet që i kishin institucionet shëndetësore. Lenjani, bëri me dije se në ditën e Pavarësisë më 17 shkurt 2008, nuk ka pasur shumë raste emergjente, përkundër shumë festimeve që kanë qenë në Prishtinë.