Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Leonard Ademaj thotë se dënimi maksimal për vrasësit e motrës së tij është lehtësim për familjen

 
   

Leonard Ademaj ka thënë se ngritja e një aktakuze më shpejtë për vrasjen e motrës së tij, Liridona Muselit dhe dënimi maksimal sipas ligjit në fuqi është lehtësim për familjen.

Ai për tëvë ka thënë se janë në kontakt të vazhdueshëm me prokurorinë për ngritje të aktakuzës, por siç tha ai ka ende afat ligjor për këtë.

“Tash po bëhet 1 vit që nga vrasja e Liridona Ademaj. Ne si familje jemi në kontakt të vazhdueshëm me prokurorin për aq sa ata po munden të na gjejnë kohë, edhe pse ne do të kishim dashur që të takohemi më shpesh. Sidoqoftë, vrasja e Liridones është një ndër rastet me të rënda qe ka ndodhur vendit tonë, si për nga natyra e viktimës ashtu edhe për nga veprimet kriminale e dinake ndaj një burri kundër një nëne para fëmijëve të tyre. E kuptojmë që prokuroria duhet të përgatisë aktakuzën sipas ligjit dhe në mënyrë profesionale dhe për këtë ka afat ende në bazë të ligjit. Por ngritja e një aktakuze sa më shpejtë dhe dënimi maksimal që parasheh Kodi Penal i RKS është një lehtësim për ne si familje dhe për gjithë popullin sakrifikues e dashamirës të Kosovën”, ka thënë ai.

Ademaj më tej, ka thënë se vrasja është e qartë se ka ndodhur në bashkëkryerje dhe se ishte e planifikuar nga Naim Murseli.

“Vrasja e Liridona Ademaj ka ndodhur në bashkëkryerje duke u planifikuar, duke u gjetur ekzekutori, duke blerë armën dhe se bashku te 3 duke organizuar dhe ekzekutuar vrasjen e gruas së bashkëkryesit Naim Murseli, sipas porosisë së tij në mënyrë shumë dinake. Pra, është bërë tërësisht e qartë se Naimi ka kërkuar nga Kushtrimi që t’i ndihmojë ta vrasë Liridonën duke i dhënë mbështetje në planifikim e organizim të vrasjes duke i gjetur një personi që e njeh se mund ta kryej këtë punë. Kushtrimi i kishte gjetur dorasin Granit Plava si personin adekuat sipas Kushtrimit.

Sipas planifikimit të tyre i kishin kërkuar Granitit të ekzekutonte planin, i cili në natën kritike, sipas koordinimit, Granit Plava e ekzekuton motrën tonë duke e mbajtur shtrëngueshëm për krahu Naimi, në veture ne prezence te dy fëmijëve të mitur. Është e paparamendueshme se si është ndjerë motra ime (e tradhtuar dhe e pambrojtur nga personi që duhet ta mbronte)  në atë moment kur vetura i është ndalur me dinakëri kinse si rezultat i një hajni, e ku papritur është shtrënguar për krahu nga vetë burri i saj”, ka thënë ai.

Tutje, vëllai i Liridonës ka thënë se familja dhe fëmijët po e vuajnë shumë mungesën e saj, i cili tregojë se janë në kontakt të vazhdueshëm më fëmijët.

Ai ka thënë se fëmijët i brengosë më së shumti fakti se ishin ne veturë dhe se si babai i tyre e shtrëngoj krahun e nënës e tyre në momentin kritik qe vrasja te kryhet sa me lehtë.

“Krahas mungesës deri në amshim që do të kemi, kjo është gjëja që edhe ne si familje e edhe fëmijët po e vuajnë më shumë. Jemi në kontakt të vazhdueshëm edhe me fëmijët të cilët gjendën nën kujdesin e socialit dhe organeve kompetente në Suedi të cilët i falënderojmë për angazhimin e tyre. Fëmijët i brengosë më së shumti fakti se ishin ne veturë dhe se si babai i tyre e shtrëngoj krahun e nënës e tyre në momentin kritik qe vrasja te kryhet sa me lehtë. Falënderojmë të gjithë për ngushëllimet, bashkëndjerjen e dhimbjes dhe solidarizimin me ne si familje dhe rastet e ngjajshme në Kosovë, që shpresojmë të mos përsëritën kurrë”, ka thënë ai.