Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Letra e ligjvënësve amerikanë e evropianë/ Arifi: Njohja e Kosovës do ta de-faktorizonte politikën Serbe-Ruse në Ballkanin Perëndimor

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, vlerëson se letra e ligjvënësve evropianë dhe amerikanë drejtuar Brukselit zyrtar dhe Uashingtonit, është një fillesë e ndryshimit të konceptit të qasjes ndaj Kosovës.

Arifi në një prononcim për “Bota sot” deklaron se pret bashkëpunim më të madh, sidomos nga BE me Kosovën.

Derisa thekson se, njohja e Kosovës do ta de-faktorizonte politikën Serbe-Ruse në Ballkanin Perëndimor.

Image Dritëro Arifi

“Unë e shoh si një fillesë të ndryshimit të konceptit të qasjes ndaj Kosovës, por jo që do të ketë ndonjë efekt të menjëhershëm, por kanë filluar të ndryshojnë konceptet rreth qasjes edhe ndaj Ballkanit Perëndimor në shumicën e vendeve të Bashkimit Evropian, por edhe të ligjvënësve amerikan. Ajo çka pres është që të paktën edhe nëse BE dhe ShBA nuk mund të jenë të ashpër me Serbinë, për shkak të gjeopolitikës së këtyre shteteve, por ajo çka pres nga BE sidomos është që të jetë më i hapur dhe më bashkëpunues me Kosovën”, thotë ai.

Duke folur për letrën, ai shton se politikat destruktive të Serbisë nuk po dëmtojnë vetëm të ardhmen Evropiane të Kosovës, por të gjithë Ballkanit Perëndimor.

“Duhet të hapet një derë serioze drejtë integrimeve evropiane për Kosovën, duhet të diskutohet për njohjen e Kosovës, sa më shpejt aq më mirë. Politikat destruktive të Serbisë nuk po dëmtojnë vetëm të ardhmen Evropiane të Kosovës, por realisht të gjithë Ballkanit Perëndimor. Prandaj njohja e Kosovës do ta de-faktorizonte politikën serbe-ruse në Ballkanin Perëndimor në të njëjtën kohë do të avanconte edhe Kosovën edhe Ballkanin Perëndimor drejt integrimit euroatlantik në tërësi”, deklaron ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e cilësoi si zhvillim pozitiv dërgimin e letrës nga dhjetëra ligjvënës amerikanë e evropianë te zyrtarët e lartë në Bruksel, Uashington e Londër, përmes së cilës u kërkua ndryshimi i qasjes ndaj Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës më 9 gusht, Kurti tha se nënshkruesit e letrës shprehën mbështetjen e tyre për Kosovën dhe kërkuan qasje më të ashpër ndaj Serbisë “dhe rrezikut që veprimet e saj paraqesin për rajonin tonë”.

“Ne u jemi falënderues të gjithë përfaqësuesve politikë që i janë bashkuar kësaj thirrjeje të përbashkët, e mirëpresim secilin nënshkrim dhe mbështetje të radhës. Ky lloj i mbështetjes na e përforcon përkushtimin tonë për shtensionim të plotë të situatës në katër komunat në veri të Kosovës, angazhimin për demokraci dhe bindjen për ligjshmëri dhe kushtetutshmëri”, tha Kurti.

Në fillim të kësaj jave, deputetja britanike Alicia Kearns, publikoi letrën, të cilën sipas saj e kanë nënshkruar dhjetë kryetarë të komiteteve për punë të jashtme dhe 56 deputetë.

Kjo letër iu dërgua shefit të diplomacisë të bllokut evropian, Josep Borrell, kryediplomatit amerikan, Antony Blinken, dhe atij britanik James Cleverly.

Në letër u tha se “Kosova është përballur me pasoja të mëdha pas përpjekjeve të kryetarëve që të hyjnë në zyrat e tyre në veri të Kosovës”.

Tensionet në veri të Kosovës janë rritur që nga fundi i majit, pasi kryetarët e rinj shqiptarë, nën përcjelljen e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaiviqit.

Kjo u kundërshtua nga serbët lokalë.

“Kosova duhet të koordinohet me KFOR-in në të ardhmen për të parandaluar përshkallëzimet. Por, mungesa e presionit ndaj Serbisë pas ndalimit arbitrar të tre policëve të Kosovës dhe dështimi për t’i mbajtur përgjegjës ata që kryen sulme ndaj KFOR-it vënë në pah mungesën e barazisë në adresimin e tensioneve”, u tha në letrën e ligjvënësve.