Zhvillime të shumta ka pasur të enjten lidhur me procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, ndonëse jo në favor të aderimit në këtë institucion.
Të enjten, vetëm një ditë para se të mbahej takimi i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës Qeveria e Kosovës njoftoi se është duke përgatitur një draft-statut lidhur me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, bazuar në propozimin e Fondacionit gjerman Friedrich Ebert.
I njëjti draft-statut do të dorëzohet në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim deri në fund të këtij muaji.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla përmes një postimi në Facebook ka shkruar se në kuadër të procesit të anëtarësimit në Këshillin e Evropës, pas votës prej 82 % të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në favor të këtij anëtarësimi, në kuadër të zotimeve të marra nga tre krerët e shtetit në mëngjes i ka dërguar një letër Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
“Letra përmban zotimin që Qeveria e Republikës së Kosovës do të përgatisë një draft për krijimi e një mekanizmi për vetmenaxhim, koordinim dhe bashkëpunim të komunave me shumicë serbe në Kosovë, i cili përmbush detyrimet e trashëguara ndërkombëtare të Kosovës, plotëson nevojat e qytetarëve të komunitetit serbe të Republikës së Kosovës, por njëkohësisht respekton në tërësi dhe në secilin detaj të tij Kushtetutën dhe të gjitha ligjet e Republikës së Kosovës si dhe njëkohësisht edhe parimet e Këshillit të Evropës. Një draft i tillë i shërben në njërën anë synimit të qeverisë për të integruar komunitetet joshumicë dhe zbatimit të ligjeve të Republikës së Kosovës në të gjitha komunat”, ka shkruar Gërvalla.
Ministrja thekson se drafti siguron jo vetëm respektimin e plotë të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, por në të njëjtën kohë pamundësimon ndërhyrjet e palejueshme nga jashtë, si në komunat e Kosovës, ashtu edhe në të gjithë vendin.
“Pas konkretizimit të sotëm të zotimit tonë për të bërë një hap të rëndësishëm dhe të prekshëm në përmbushjen e zotimeve tona, kërkojmë dhe presim nga Këshilli i Evropës që të përmbushë pjesën e vet të detyrimit dhe të ftojë Kosovën për t’iu bashkuar pa vonesë Këshillit të Evropës, si vendi të cilit jo vetëm që i janë vendosur më së shumti kushte për anëtarësim në këtë organizatë, por i cili i ka përmbushur të gjitha këto kushte. Kosova e pavarur dhe sovrane, si shtet ligjor dhe demokratik, mbetet në kursin e saj të palëkundur drejt anëtarësimit në NATO dhe BE”, ka shkruar Gërvalla.
Presidenca: Letra e Qeverisë dërguar në KiE, nuk është konsultuar dhe dakorduar me Presidenten Osmani
Pas dërgimit të kësaj letre dhe njoftimit ka reaguar Presidenca e Kosovës.
Presidenca e Kosovës ka bërë të ditur se veprimi i bërë nga Qeveria e Kosovës, konkretisht nga MPJD rreth draft-statutit të Asociacionit dhe çështjes së Këshillit të Evropës, nuk është konsultuar e as dakorduar me presidenten Vjosa Osmani.
Kështu kanë bërë të ditur, nga zyra për media e presidentes Osmani.
“Letra e djeshme e Qeverisë së Kosovës dërguar në KIE, nuk është konsultuar dhe dakorduar me Presidenten Osmani. Presidentja Osmani përkrahë vetëm qëndrime dhe veprime paraprakisht të konsultuara, të koordinuara dhe të dakorduara me institucionin e Presidencës si institucion kushtetues me kompetenca të qarta në fushën e politikës së jashtme dhe si gardian i funksionimit kushtetues të institucioneve”, ka deklaruar Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes.
Ai ka thënë se kjo letër nuk është e tillë dhe se mund të jetë konsultuar e koordinuar me individë jashtë institucioneve që sot e kanë publikuar këtë letër, por jo me Presidencën.
“Çdo derivat i letrës së zotimeve të nënshkruar nga tri institucionet duhet paraprakisht po ashtu të koordinohet dhe miratohet nga po këto tri institucione. Presidentja Osmani gjatë gjithë ditës po vazhdon konsultimet me aleatët rreth çështjes së anëtarësimit në Këshill të Evropës, ashtu siç ka bërë për një kohë të gjatë, me qëllim të zhbllokimit të këtij procesi”, u shpreh Kupina.
Tutje ai ka theksuar se “Presidentja Osmani do ta mbështesë çdo veprim në drejtim të realizimit të këtij synimi, në përputhje të plotë me interesat shtetërore dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Prandaj edhe po bën përpjekje që shtetet anëtare të binden që sa më parë që të jetë e mundur të thirret një seancë e jashtëzakonshme ku do të votohet pro anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë”.
Pas letrës së dërguar dhe konferencës për media të ministres së Jashtme, Donika Gërvalla, tri vendet që kanë kushtëzuar anëtarësimin e Kosovës me hapa konkretë drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Gjermania, Franca dhe Italia kanë lëshuar një deklaratë për media ku prerazi kanë thënë se pa Asociacion nuk ka pranim të Kosovës në Këshill të Evropës.
Gjermania, Franca dhe Italia këmbëngulin: Pa Asociacion, nuk ka pranim të Kosovës në Këshillin e Evropës
Franca, Gjermania dhe Italia kanë ngulur këmbë në një letër dërguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se ato e mbështesin draft-statutin e propozuar nga i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd, Mirosllav Lajçak, për themelimin e një Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Javë më parë, Kurti i ishte drejtuar liderëve të këtyre tre vendeve me një letër, duke sqaruar pse Qeveria e Kosovës nuk mund ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese atë draft-statut dhe kishte propozuar ta shkruajë një të ri me kryetarët e tanishëm të komunave me shumicë serbe.
Edhe pse Kurti mori përgjigje të mërkurën për këtë, Qeveria iu drejtuar të njëjtën ditë këtyre vendeve me një letër të re për këtë çështje.
Në letrën e përbashkët të presidentit të Francës Emmanuel Macron, kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe kryeministres së Italisë Giorgia Meloni më 15 maj, thuhet se draft-statuti i paraqitur nga Lajçak nuk është thjesht “një propozim zotërinjsh”.
“Ai është model i qëndrueshëm, i përpiluar me kujdes me ndihmën e ligjvënësve dhe ekspertëve evropianë, në përputhje me praktikat më të mira ekzistuese në Evropë. Ai i merr parasysh plotësisht të gjitha vijat tuaja të kuqe, si dhe kornizën ligjore dhe Kushtetutën e Kosovës. Si i tillë, ai gëzon mbështetjen tonë të plotë. E theksojmë përsëri se ne nuk e duam një Kosovë jofunksionale, dhe Asociacioni në asnjë mënyrë nuk është i krahasueshëm me Republikën Srpska”, thuhet në letër.
Kurti, në letrën e tij drejtuar atyre, e kishte lënë të hapur edhe një mundësi që ta shqyrtonte edhe draft-statutin e Lajçakut, por vetëm pasi ai të ishte shqyrtuar fillimisht nga ekspertët ligjorë të Këshillit të Evropës.
“Unë, po ashtu, do të isha i hapur për opsionin që draft-statuti i Lajçakut të paraqitet nga Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës për shqyrtim nga juristët eminentë të emëruar nga sekretariati dhe byroja e Këshillit të Evropës, për të vlerësuar përputhshmërinë me obligimet e Kosovës, sipas Këshillit të Evropës. Obligohem se do të respektoj gjetjet e juristëve eminentë me respektin më të madh“, kishte shkruar Kurti.
Por, Macron, Scholz dhe Meloni thanë se dorëzimi i draft-statutit tek ekspertët e Këshillit të Evropës “nuk do të përbënte hap të nevojshëm vendimtar, meqë mendimi i tyre nuk do të ishte ligjërisht detyrues”, duke ngulur këmbë që Kurti ta dërgojë atë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
“Kjo mund të arrihet vetëm duke e dërguar atë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, në një mënyrë që është e pranueshme për Gjykatën. Siç qartësohet edhe me Brukselin, nuk ka pengesa ligjore në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja për ta ndërmarrë këtë hap”, thuhet tutje në letren e liderëve.
Liderët gjithashtu e hodhën poshtë një propozim të Kurtit për ta përpiluar një draft-statut të ri për Asociacionin.
“Propozimi juaj për ta përpiluar një draft të ri në konsultim me kryetarët e tanishëm të komunave, apo me nënkryetarët, nuk është as i përshtatshëm e as i zbatueshëm, për shkak të rrethanave të tanishme në këto komuna”, thanë ata.
Ndryshe, sot Komitetit i Ministrave i Këshillit të Evropës mban takimin.
Në muajin prill Kosova mori mbështetje të fuqishme nga Asambleja Parlamentare e këtij institucion për anëtarësim, pasi u aprovua raporti i Dora Bakoyannis që rekomandonte fuqishëm aderimin e Kosovës në KiE.
Pavarësisht kësaj, gjërat ndryshuan rrjedhjen gjatë kësaj periudhe, pasi Gjermania, Franca dhe Italia kushtëzuan Kosovën me siç thonë ndërmarrjen e hapave konkret drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.