Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Letra kërcënuese e terroristëve ndaj Kurtit, zbardhen prapaskenat e forta – vjen thirrja për ndërkombëtarët

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një intervistë për mediumin estonez ‘Delfi’, u shpreh i shqetësuar lidhur me përfshirjen e Rusisë në tensionet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Kurti tha kishte marrë kërcënime nga terroristët lidhur me sekuestrimin e një sasie të madhe të armëve dhe municionit në veri të vendit nga Policia e Kosovës.

Dje kemi konfiskuar një sasi të madhe municionesh dhe kallashnikovë nga një shtëpi në një komunë me shumicë serbe në veri të Kosovës. Pak para se të vija në intervistë, mora një tjetër letër kërcënuese nga terroristët, ku thuhej me tallje se armët që kishim sekuestruar ishin vetëm një pjesë e vogël e pajisjeve të tyre“, ka deklaruar Kurti.

Kreu i qeverisë së Kosovës, gjithashtu pretendoi se anëtarët e grupit Wagner dhe Ujqërit e Natës, një klub rus i motoçiklistëve i njohur për lidhjen e tij të ngushtë me Kremlinin, kishin hyrë në Kosovë nga Serbia dhjetorin e kaluar. Sipas tij, këta persona kishin krijuar lidhje të ngushta me organizatat terroriste që veprojnë në rajon.

Kemi dëshmi se disa nga serbët që bojkotuan zgjedhjet ishin të lidhur me grupin Wagner, madje disa prej tyre ishin anëtarë të grupit. Disa anëtarë të Wagner dhe Ujqërve të Natës (një klub rus i tërbuar motoçikletash i mbështetur nga Kremlini – red.) erdhën në Kosovë nga Serbia dhjetorin e kaluar dhe kanë lidhje të ngushta me dy organizatat terroriste. Dhe një organizatë terroriste po dërgon kërcënime me vdekje për mua dhe ministrin tim të brendshëm“, deklaroi ai.

Kryeministri Kurti ka thënë se Kosova është e trazuar pas ngjarjeve në veri të vendit, ndërsa shton se Serbia me Rusinë janë në raporte tepër miqësore.

Shala: Serbët (kriminelë dhe terroristë) nuk e pranojnë normative e Republikës se Kosovës

Image
Drizan Shala

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala në një prononcim për “Bota sot” tha se institucionet e Kosovës kanë identifikuar terroristët serbë në veri.

Institucionet e Kosovë kanë marrë gjithë veprimet për të lokalizuar dhe identifikuar personat e grupeve kriminale/terroriste të Serbisë në veri të vendit”, deklaroi

Sipas tij, kërcënimet ndaj Kurtit dhe udhëheqësve tonë të shtetit vijnë nga personat që qëndrojnë prapa veprimeve terroriste.

Në anën tjetër kërcënimet në drejtim të bartësve institucional dëshmuar që serbët (kriminelë dhe terroristë) nuk e pranojnë normative e Republikës se Kosovës në atë pjesë, ku pjesa me e madhe mbrapa veprime terroriste të Milan Radojqiçit me kompani ka elemente ruse”, përfundoi Drizan Shala për “Bota sot”.

Qarri: Zbulimi i armatimit ilegal dhe kërcënimet e terroristëve serb, duket të jenë një skenar i kombinuar serbo-rus

Image
Gani Qarri

Kurse, analisti politik, Gani Qarri në një bashkëbisedim me “Bota sot” tha se u zbulua plani i presidentin serb dhe skenarët e bandave kriminale serbe në veri.

Ai vlerësoi se në rast të eskalimit të situatës në veri nuk është më përgjegjës vetë Vuçiq, por edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë.

Zhvillimet e fundit dëshmojnë se Vuçiq në vend të implementimit të planit franko gjerman, ai në koordinim me bandat kriminale serbe të veriut, po përgatit skenarë të reja destruktive, për pengimin e mbajtjes së zgjedhjeve të lira në veri të vendit dhe sabotimin publik të marrëveshjes së dakorduar me 18 mars në Ohër, me ndërmjetësimin euro-amerikan, ndaj në qoftë se edhe kësaj radhe nga BE dhe SHBA lejohen lojërat obstruktive të Vuçiqit dhe nuk zbatohen pikat e marrëveshjes së dakorduar në Bruksel dhe Ohër, përgjegjësinë për përkeqësimin eventual të gjendjes në veri, nuk e mban më vetëm Vuçiqi por edhe Gabriel Eskobar, Mirosllav Lajçak, Josep Borell dhe vet sponsorizuesit e planit franko-gjerman të inkorporuar nga BE”, deklaroi ai.

Qarri u shpreh se kërcënimet ndaj Kurtit dhe Sveçlës janë skenar i Serbisë dhe Rusisë, ku kësisoj është shqetësuese dhe mund të nxiten tensione të reja mes dy vendeve.

Zbulimi i armatimit ilegal dhe kërcënimet e terroristëve serb, duket të jenë një skenar i kombinuar serbo-rus, i cili së fundi, përveç zbulimit të sasive të mëdha të armatimit e municioneve të të gjitha llojeve, deri te helmet ushtarake, të gjetura në veri të Kosovës, nga organizata terroriste serbe, si e ashtuquajtura “brigada e veriut” po lansohen edhe kërcënime të hapura, për likuidimin fizik të Ministrit të Brendshëm dhe vet kryeministrit të Kosovës, akte të cilat kanë bërë që në një intervistë për mediumin estonez ‘Delfi’, kreu i qeverisë së Kosovës të shprehet i shqetësuar lidhur me përfshirjen edhe të Rusisë në tensionet më të reja, ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, theksoi analisti.

Më tej, ai tha se letra kërcënuese e ka detyruar kryeministrin Kurti të dal publikisht që të shpreh shqetësime për përfshirjen e madhe dhe ndikimin rus në Kosovë.

Siç dihet Kryeministri Kurti, ka marrë edhe personalisht, letër kërcënuese nga terroristët serb, për likuidim e tij, pas sekuestrimit të një sasie të madhe të armëve dhe municionit në veri të vendit nga Policia e Republikës së Kosovës, ku dyshohet të jetë e involvuar edhe Rusia me shërbimet e saj të fshehta agjenturore.

Akt ky i cili ka detyruar Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që të shpreh publikisht shqetësimet në rritje për përfshirjen e vazhdueshme të Rusisë, veçanërisht në krijimin e tendosjeve dhe problemeve të reja në komunat veriore të Kosovës, si dhe tensionet e shtuara ndërmjet Serbisë dhe Kosovës edhe kohëve të fundit”, nënvizoi Qarri.

Në fund, analisti shtoi se qeveria jonë në bashkëpunim me ndërkombëtarët duhet të marrë masa dhe hetojë këto kërcënime.

Në fakt, para një viti, u paraqit plani franko-gjerman, por përkundër marrëveshjeve të dakorduara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel dhe Ohër me ndërmjetësimin e BE-së, Vuçiq me bandat kriminale të Radojçiqit, po përgatit skenarë të reja kriminale, për pengimin e mbajtjes së zgjedhjeve të lira në veri të vendit dhe sabotimin publik të marrëveshjes së dakorduar me 18 mars në Ohër, me ndërmjetësimin euro-amerikan, ndaj Qeveria e Kosovës në koordinim me faktorin ndërkombëtar duhet të ndërmerr të gjitha masat e mundshme, që ka nevojë, për hetimin e këtyre kërcënimeve, kapjen e autorëve të cilët veprojnë edhe nën ndikimin e Rusisë ilegalisht në veri, për ruajtjen e rendit e të ligjit, garantimin e sigurisë për të gjithë dhe vendosjen e barazisë në dialogun Kosovë-Serbi’, përmbylli Gani Qarri për “Bota sot”