Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Liban: 11 të vrarë nga sulmet izraelite të nxitura nga Hezbollahu

Izraeli ka kryer sulmin më të madh kundër Libanit prej kur palët janë pajtuar për një armëpushim një javë më parë, duke vrarë të paktën 11 persona.

Sulmi ka ardhur pasi grupi militant i Libanit, Hezbollah, ka gjuajtur një breshëri predhash si paralajmërim për ato që i ka cilësuar shkelje të armëpushimit nga ana izraelite.


Reklamë

Reklamë

Reklamë
ADVERTISEMENT

Hezbollahu është grup i mbështetur nga Irani, i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara.

Bashkimi Evropian e konsideron terrorist vetëm krahun ushtarak të grupit, por jo atë politik.

Sulmi me predha ka qenë i pari i Hezbollahut kundër forcave izraelite pasi palët janë pajtuar për një armëpushim 60-ditor javën e kaluar.

Marrëveshja tejet e cenueshme parasheh dhënien fund të luftimeve që kanë nisur më shumë se një vit më parë mes Hezbollahut dhe Izraelit – në kuadër të zgjerimit të konfliktit të nxitur nga lufta shkatërruese mes Izraelit dhe Hamasit në Gazë.

Edhe Hamasi konsiderohet grup terrorist nga SHBA-ja dhe BE-ja.

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të pengjeve izraelite që mbahen nga Hamasi në Gazë, duke thënë në rrjetet sociale që, nëse pengjet nuk lirohen derisa ai zyrtarisht të marrë pushtetin në janar, grupi do ta paguajë rëndë.

Nuk është bërë e qartë nëse Trump ka kërcënuar me përfshirje direkte të ushtrisë amerikane në luftën e Izraelit në Gazë. SHBA-ja i ka dhënë Izraelit mbështetje tepër të rëndësishme ushtarake dhe diplomatike përgjatë konfliktit gati 15-mujor.

Lufta në Gazë ka shpërthyer pas sulmeve të Hamasit në jug të Izraelit, në tetor të vitit të kaluar, duke vrarë mbi 1.200 njerëz dhe duke marrë peng mbi 240 të tjerë.

Si pasojë e ofensivës hakmarrëse të Izraelit në Gazë janë vrarë më shumë se 44.000 njerëz, sipas të dhënave të autoriteteve shëndetësore palestineze.

Kombet e Bashkuara paralajmërojnë që situata në Gazë është apokaliptike dhe që civilët janë duke vuajtur më së shumti këtë situatë./Radio Evropa e Lirë