Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Liberalizimi i vizave, agresioni i 24 shtatorit, Asociacioni e njohja de-facto – krejt çka u tha në takimin e Osmanit dhe Kurtit me Von der Leyen

 
   

Një ditë më parë në vendin tonë për vizitë zyrtare qëndroi kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen.

Kryetarja e KE-së gjatë vizitës në Prishtinë, u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të punojnë për normalizimin e raporteve, gjersa nga Kosova kërkoi të nisë zbatimin e Asociacionit, ndërkaq nga Serbia njohjen de-facto.

“Ftojmë Kosovën të nisë procedurën për zbatimin e Asociacionit, kurse Serbia duhet të pranojë njohjen de-facto. Kjo është mënyra e vetme për të shkuar përpara”, tha presidentja e KE-së.

Pas takimit me presidenten Vjosa Osmani në Prishtinë, Von der Leyen në një konferencë për media tha se pas Kosovës do të udhëtoj për në Mal të Zi dhe Serbi.

“Edhe në Serbi atje do t’i diskutoj edhe hapat që duhet të ndërmerr Serbia për njohjen de-facto”, tha Von der Leyen.

Presidentja e KE-së ka ripërsëritur sërish që dënojnë ashpër sulmin e dhunshëm të 24 shtatorit që ndodhi në Banjskë të Zveçanit, derisa shtoi se kryerësit duhet të sillen para drejtësisë.

“Ne fuqishëm dënojmë sulmet e dhunshme të 24 shtatorit, dhe shpreh ngushëllimet për familjet, miqtë dhe kolegët e policit të vrarë. Një sulm i tillë është tërësisht i papranueshëm, dhe kryerësit duhet të sillen para drejtësisë”, tha Von der Leyen.

Presidentja e Komisionit Evropian më tej shtoi se BE-ja është shumë e zotuar për të ardhmen e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ajo foli edhe për procesin e liberalizimit të vizave, ku u shpreh se është një momentum i ri në raportin BE-Kosovë.

“Më kujtohet viti i kaluar që të dyja ne bëmë thirrje për liberalizim të vizave, dhe tani mund të them se ia dolëm. Që nga 1 janari kosovarët mund të gëzojnë lëvizjen e lirë. Kjo është një mënyrë fantastike për t’i afruar njerëzit”, u shpreh Von der Leyen.

Von der Leyen tutje u shpreh se përveç përafrimit të njerëzve, duhet të  përafrojmë edhe ekonomitë tona.

“Ne kemi planin 30 miliardësh investimesh për Ballkanin Perëndimor”, tha Von der Leyen.

E pas takimit me kryetaren e KE-së, ka folur edhe presidentja e shtetit, Vjosa Osmani.

Ajo para mediave ka thënë se në takim kanë biseduar për planin e BE-së për rritjen e Ballkanit Perëndimor, dhe zhvillimet e fundit në Kosovë.

“Takimi ynë u fokusua në planin për rritjen e Ballkanit Perëndimor, të cilin e prezantoi presidentja. Krahas kësaj kisha mundësinë ta informojë Ursula von der Leyen për zhvillimet e fundit në Kosovë, dhe angazhimet tona”, tha ajo.

Tutje, presidentja tha se planin për zgjerimin e Ballkanit Perëndimor bazohet në katër shtylla.

“Planin gjithëpërfshirës i bazuar në katër shtylla shënon një hap të rëndësishëm drejt integrimit tonë në tregun e përbashkët evropian. Ky plan parasheh mbështetjen e BE-së përmes rritjes së asistencës financiare për reformat që duhet ndërmarrë. Në takim shpreha falënderimin që i dhanë epilog procesit të vizave, ku nga janari qytetarët do të kenë mundësinë ta shfrytëzojnë lëvizjen e lirë në zonën Schengen”, u shpreh presidentja.

Osmanit tha se e Kosova ka qëllim anëtarësimin në BE dhe NATO, derisa kërkoi mbështetjen e Ursula von der Leyen për procesin.

“Kërkova po ashtu të largohen masat ndëshkuese nga BE”, tha ndër tjera ajo, gjersa tha se kanë folur edhe për sulmet terroriste të Serbisë ndaj Kosovës

Lidhur me takimin me kryetaren e Komisionit Evropian, ka shkruar edhe kryeministri Albin Kurti.

Ai në një postim në Facebook tha se e njoftoi Von der Leyenin me zhvillimet e fundit në vend, takimin e 26 tetorit me liderët evropianë dhe me qëndrimin e Kosovës në raport me propozimin e BE-së dhe ShBA-së për zbatimin e nenit 7, ndërlidhur me nenin 10 të Marrëveshjes Bazike.

Në lidhje me sulmin terrorist, paramilitar dhe kriminal të 24 shtatorit, kryeministri Kurti theksoi rëndësinë dhe nevojën e ekstradimit të Milan Raojçiq në Kosovë ku do të ballafaqohej me një gjykim fer dhe të drejtë për veprat e tij, dhe në të njëjtën kohë domosdoshmërinë e sanksioneve ndaj Serbisë në mënyrë që sulme të tilla mos përsëriten.

Në takim u fol edhe për Planin për Zhvillim të BE-së për Ballkanin Perëndimor, përfitimet e mundshme nga ai, si dhe për Tregun e Përbashkët Rajonal dhe përparësitë e tij për rajonin, përkatësisht Ballkanin Perëndimor.

“E njoftova për projektet e ndryshme infrastrukturore, përfshirë ato të cilat tashmë kanë mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, por edhe projekte tjera të cilat mund të përfitojnë nga mbështetja, sikurse është ai i hekurudhës Prishtinë-Durrës”.