Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Liburn Aliu reagon për sulmin në veri

 
   

“Kundër arrestimit të djeshëm të tre të dyshuarve për krime lufte në Kosovë, Beogradi ka urdhëruar që të hidhet granatë luftarake në Mahallën e Boshnjakëve në Mitrovicë”.

Kështu ka deklaruar ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu duke thënë se kjo është një kundërpërgjigje e Serbisë pas arrestimit të tre serbëve të cilët dyshohen për masakra e tortura ndaj shqiptarëve në Vushtrri e në Burgun e Smrekonicës.

Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se krimet e luftës duhet të dënohen, në emër të paqes dhe në emër të të ardhmes e të dyshuarit për krime lufte duhet të vendosen para drejtësisë.

“Është fatkeqësi që Serbia udhëhiqet edhe tash nga një qeveri që mbron, strehon, dhe adhuron kriminelët e luftës. Kundër arrestimit të djeshëm të tre të dyshuarve për krime lufte në Kosovë, Beogradi ka urdhëruar që të hidhet granatë luftarake në Mahallën e Boshnjakëve në Mitrovicë. Kjo tregon qartazi mentalitetin e Vuçiqit dhe njerëzve të tij, dhe se si i qasen ata të kaluarës gjenocidale”, ka shkruar Aliu.

Ai ka thënë se Vuçiqi vazhdon të mendojë e të veprojë njejtë siç ka bërë edhe në kohën sa i shërbente Millosheviqit por siç thotë ai tani “mundësitë i ka shumë më të vogla”.

“Kriminelët e luftës do të dënohen, sepse Kosova është e angazhuar për normalitet, drejtësi dhe paqe. Akte të tilla terroriste nuk kalojnë”, ka vijuar ai.

Edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se sulmi me granatë dore në Lagjen e Boshnjakëve ka ardhur si reagim ndaj arrestimit të tre serbëve të akuzuar për krime gjatë luftës në Kosovë.

Ndryshe, Policia e Kosovës ka konfirmuar se pas mesnatës të së enjtes në “Lagjen e Boshnjakëve” në veri të Mitrovicës, ka pasur një shpërthim.