Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Liderët arabë mblidhen në Bahrejn për të diskutuar për Gazën

Liderët arabë takohen në Bahrejn më 16 maj për samitin, që pritet të dominohet nga lufta mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – teksa nuk ka shenja se mund të arrihet shpejt një armëpushim.

Udhëheqësit e 22 anëtarëve të Ligës Arabe takohen në Manama. Kjo është hera e parë që ky bllok takohet që nga samiti i jashtëzakonshëm në Riad të Arabisë Saudite që u mbajt nëntorin e kaluar. Në atë takim kishin marrë pjesë edhe anëtarët e Organizatës për Bashkëpunim Islamik.

Në takimin e nëntorit, liderët dënuan veprimet “barbare” të forcave izraelite në Gazë, por nuk kishin miratuar vendosje të masave ndëshkuese ekonomike dhe as nuk kishin marrë ndonjë vendim për hapa politikë ndaj Izraelit, pavarësisht zemërimit të rritur në rajon për luftën në Rripin e Gazës.

Kjo mund të ndryshoi kësaj radhe, pasi mbështetja për një zgjidhje me dy shtete, është rritur në mbarë botën. Një zgjidhje e tillë për konfliktin e gjatë mes izraelitëve dhe palestinezëve është shtyrë përpara që një kohë të gjatë edhe nga shtetet arabe.

Teksa lufta po vazhdon, Katari, që ndërmjetëson bisedimet mes Izraelit dhe Hamasit, tha se bisedimet për armëpushim dhe lirim të pengjeve kanë ngecur.

Lufta shpërtheu pasi Hamasi sulmoi më 7 tetor jugun e Izraelit, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë.

Nga ofensiva e ushtrisë izraelite janë vrarë më shumë se 25.000 persona, shumica civilë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi.

Një ditë më herët kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se pothuajse 50.000 persona janë evakuuar nga Rafah, në jug të Gazës, teksa insistoi se shteti i tij do të kryejë operacion kundër batalioneve të Hamasit në këtë qytet, pavarësisht se një operacion i tillë në Rafah – ku janë strehuar shumë palestinezë – është kundërshtuar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden./REL