Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Liderët urojnë Kurban Bajramin me thirrjet për mirësi dhe tolerancë

 
   

Liderët e Kosovës, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, i kanë uruar qytetarët e vendit më 16 qershor për festën e Kurban Bajramit, me mesazhe për mirësi dhe tolerancë.

“Kjo festë bashkon njerëzit, ndaj në këtë ditë hapen jo vetëm dyert, por edhe zemrat për ta shpërfaqur traditën tonë, si dhe shpirtin solidar për të ndarë diçka nga vetja për ata që kanë nevojë”, tha Osmani në urimin e saj.

Ajo tha se Kurban Bajrami është festë e sakrificës, mundësi për reflektim, dhembshuri dhe mirënjohje.

“Shtëpitë tuaja në këtë ditë feste qofshin të mbushura me gëzim, dashuri, mirëkuptim dhe tolerancë”, theksoi ajo.

Më 16 qershor në Kosovë ceremonia kryesore e faljes se namazit të Bajramit u mbajt në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, me mesazhe për paqe, solidaritet, harmoni dhe dashuri ndaj njëri-tjetrit.

Kryeministri Kuri e vizitoi Bashkësinë Islame të Kosovës, ku është pritur nga Myftiu Naim Tërnava, njoftoi Zyra e tij.

“Kjo festë na e përkujton rëndësinë e sakrificës, por mbi të gjitha rëndësinë e gatishmërisë për sakrificë, nga e cila buron sinqeriteti, marrëdhëniet e mira ndërnjerëzore dhe mirësia e solidariteti”, tha Kurti.

Festa e Kurban Bajramit është e dyta pas Fitër Bajramit, e cila shënohet rreth dy muaj më herët.

Ato konsiderohen ndër festat më të rëndësishme në besimin islam.

Festa e Kurban Bajramit karakterizohet me pelegrinazhin e Haxhillëkut dhe flijimin e kurbanit apo therjen e dashit.

Haxhillëku është një ndër pesë shtyllat e Islamit.

Sipas mundësive fizike dhe financiare, myslimanëve u kërkohet që ta kryejnë këtë ritual së paku një herë në jetë.

Rituali pesëditor mbahet në Arabinë Saudite, ku ndodhen vendet më të shenjta të Islamit.