Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës operon njësoj sikurse Partia Demokratike e Kosovës.
Në një intervistë për televizionin lokal në Istog, Istogu Channel, Gërvalla ka deklaruar se LDK-ja i ka lidhjet më të fuqishme me Sami Lushtakun, nënkryetarin e Komunës së Skenderajt.
“Unë mendoj se LDK-në nuk e ndëshkoi as Vetëvendosje, as partia Guxo. LDK-në e ndëshkoi shkelja e vazhdueshme e premtimeve dhe largimi total nga rruga e cila pritet nga votuesi i LDK-së. Pra, asgjë sot në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Ju duhet ta keni parë që ata edhe emrin sot nuk duan ta kenë LDK. Por, Rruga e re, Lidhja.. ku e di unë ku i kanë lidhjet, por lidhjet më të fuqishme i kanë me Sami Lushtakun që të jemi shumë real”, ka thënë ajo.
Duke e akuzuar LDK-në se ka devijuar nga “rruga që e ka pasur dikur”, Gërvalla ka përmendur edhe Doarsa Kica-Xhelilin, deputeten e Lidhjes Demokratike të Kosovës e larguar nga Partia Guxo në tetor të vitit 2022.
“Unë mendoj se Lidhja Demokratike e Kosovës siç ka ekzistuar, nuk ekziston më – shikojini personat dhe do të shihni se më pak kanë lidhje ata me atë çka quhet LDK sesa çdo gjeneratë tjetër. Madje, ne kemi pasur një deputete në radhët tona, në partinë Guxo, e cila është larguar dhe ka shkuar në LDK. Ajo e ka arsyetuar largimin nga partia Guxo me këtë fjali, ka thënë ‘në Guxo ata s’kishin gjë tjetër, por gjithë ditën ‘Rugova, Rugova’. Ka thënë se ‘mua s’më vyen asgjë kjo’ dhe ka shkuar në LDK”, ka thënë Gërvalla.
“Unë nuk arrijë ta shoh dallimin me LDK-së dhe PDK-së”.