Avokati Besnik Berisha është liruar të dielën pasi Gjykata Themelore në Ferizaj e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë së Ferizajt për caktimin e masës për paraburgim.
Në aktvendimin e nxjerrë nga Gjykata thuhet se i është caktuar masa “Ndalimi për t’iu afruar vendit apo personave të caktuar”.
Avokati Berisha ishte arrestuar të enjten nën dyshimin për tri vepra penale bashkë me tre persona të tjerë N.Xh., I.S., dhe R.C.
Prokuroria kishte njoftuar se atë ditë, shtëpitë dhe pronat e të dyshuarve janë bastisur me urdhër të Gjykatës në Ferizaj.
Megjithatë, Prokuroria në Ferizaj të nesërmen kërkoi nga Gjykata Themelore caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj avokatit Besnik Berisha dhe gjashtë të pandehurve tjerë: Nexhat Xhafa, Ismet Salihu, Jeton Vuniqi, Fidan Zubaku, Refki Cakolli dhe Adonis Salihu.
Ata dyshohen për “ushtrim ndikimi”, “pengim i procedurës penale” dhe “dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprave penale”.