Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Lista Serbe njoftoi se e ka paditur, reagon gazetari Pleurat Salihu dhe paralajmëron padi për Simiqin

 
   

Lista Serbe ka njoftuar të shtunën se ish-kryetari i komunës së Leposaviqit, Zoran Todiq dhe anëtari i Kryesisë së kësaj partie, Slavko Simiq, kanë dorëzuar padi kundër gazetarit Pleurat Salihu, pasi sipas tyre, i njëjti “pa asnjë provë” është deklaruar për sulmin në Leposaviq më 16 qershor.

Salihu i cili është në mesin e gazetarëve që ka pësuar lëndime të rënda nga sulmi i personave të maskuar, të shtunën ka akuzuar Slavko Simiqin se “iu ka dhënë urdhër grupeve kriminale serbe” për t’i sulmuar mediat.

Lista Serbe ka deklaruar se padia do të përfshijë edhe ministrin Elbert Krasniqi “për akuza të rreme dhe të pabaza” duke i etiketuar protestuesit si “udhëheqës të grupeve kriminale.”

“Përfaqësuesit e komunës së Leposaviqit në emër të Listës Serbe dënuan qartë dhe pa mëdyshje çdo sulm ndaj gazetarëve dhe theksuan se një trajtim i tillë është i papranueshëm dhe se ata gjithmonë dhe në çdo rast janë udhëhequr ekskluzivisht nga parimet e tilla. Populli serb në veri të Kosovës dhe Metohisë po vuan prej muajsh represionin dhe terrorin e përditshëm të Albin Kurtit dhe brutalitetin e pjesëtarëve të njësive të tij speciale të policisë së Kosovës të cilët ngacmojnë brutalisht popullin paqësor serb, duke provokuar tensione dhe duke arrestuar serbët pa asnjë provë dhe fajësi, si në rastin e Dushan Obrenoviqit, Rados Petroviqit, Milun Milenkoviqit, Nemanja Vllashkoviqit dhe Dalibor Spasiqit të cilët vuajnë pa asnjë faj”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.

Sipas Listes Serbe, Todiq dhe Simiq kanë “negociuar vazhdimisht me përfaqësuesit e KFOR-it pikërisht për të qetësuar tensionet në terren të ngritura nga veprimet e njëanshme dhe provokimet e vazhdueshme të Prishtinës”.

E në anën tjetër edhe gazetari Salihu ka paralajmëruar padi ndaj Smiqit, duke thënë se “i gjallë nuk kam me të lëshu duke të bërë padi, derisa drejtësia të vijë në vend”.

“Të hënën e ke padinë…Sa të kam jetë kam me të njekë me padi, kurrë nuk ta fali. Jo për plagën time, por për plagën që ia keni shkaktuar fjalës së lirë, raportimit të drejtë dhe urdhrin që e ke dhënë për sulmin ndaj mediave. Këtu shihesh duke u koordinuar. 2. Tre personave që komunikove me ta kur tu afruan dhe të thanë serbisht, ‘Imamo uruzie’. Dhe pastaj shkuan tek rrugica afër kafiterisë, që ju I thoni ‘kafana’. 3. Kur, me tu larguar vetura e ministrit Krasniqi, ke bërtit, ‘Udrite na mediama’, ti Sllavko Simiç. A ky ish-kryetari I Leposaviqit ka dhanë urdhër që të sulmohen vetura e ministrit. Për sot, kjo. Shihemi në Gjyq. I gjallë nuk kam me të lëshu duke të bërë padi, derisa drejtësia të vije në vend”, ka shkruar ai në Facebook.