Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci tha se shumë nga të mbjellat janë shkatërruar plotësisht në fshatrat Zabel i Ulët, Komoran, Krajkovë dhe disa lagje tjera.
“Zabeli i ulët ka përjetuar furtunë breshëri e shiu, me ç’rast janë shkaktuar dëme të konsiderueshme në shtëpi, ekonomi familjare, objekte përcjellëse, dëmtim i rrugëve fushore, bunarët dhe puset që shërbenin për furnizim me ujë dhe në veçanti ka pësuar dëme bujqësia dhe të mbjellat”, tha ai.
Lladrovci dje bëri të ditur se ndaj situatës së krijuar ka reaguar Departamenti i emergjencave dhe shërbimeve publike, mirëpo shton se gjendja ka qenë e rëndë.
“Ndaj kësaj situate ka reaguar menjëherë Departamenti i emergjencave dhe shërbimeve publike dhe drejtori Gruda, të cilët ishin menjëherë në terren për të zhbllokuar gjendjen, për të ndihmuar qytetarët dhe hapur kanalet e ujërave, pusetave dhe pengesave tjera për vërshimet nga shiu i madh dhe breshri. Nuk kishte rrugë të bllokuara, megjithatë, gjendja ishte e rëndë”, deklaroi Lladrovci.
“Shumë nga të mbjellat janë shkatërruar plotësisht në Zabel të ulët, Komoran, Krajkovë e ndonjë lagje tjetër”, shtoi ai.
I pari i Drenasit, njoftoi se të dielën i ka ofruar ndihmë ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, mirëpo bën të ditur se nuk ka kërkesa prej banorëve për evakuim.