Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Horoskopi

Llatja fton qytetarët të festojnë sot në Elbasan: Të zbulojmë sekretin e ballokumes në shesh

Nga lashtësia Dita e Verës shkon dhe ulet këmbëkryq në kryeqendrën e festimeve sot, Elbasanin. Në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “7pa5” të moderuar nga Alma Çelaj dhe Syrajn Rahova, kryebashkiaku i Elbasanit Gledian Llatja ka ndarë detaje nga agjenda e festimeve.

Llatja: Sot jemi zgjuar herët. Në qendër të qytetit po bëhen gati shkollat për të ekspozuar tematikat e tyre. Është një traditë tashmë kjo, shkollat ekspozojnë tematika të ndryshme që ato vetë kanë zgjedhur.

Kryebashkiaku Llatja thotë se ballokumet bëhen 2-3 ditë para Ditës së Verës, sepse kështu e do tradita.

Llatja: Ka një rit të tërë bërja e ballokumes. Çdo familje ka një mënyrë të vetën të të bërit ballokume. Gjalpi duhet të jetë i maturuar, jo i ri. Edhe për miellin e mistri dhe grurit merren masa përpara.

Çfarë pritet të ndodhë sot?

Llatja: Pjesa e rinisë sot zgjohet vonë sepse mbrëmë kanë festuar deri vonë. Sheshi i qytetit ka qenë plot, lokalet kanë qenë plot. Në shesh fillojnë aktivitete për fëmijët të parat, më pas janë ekspozitat e fotografisë. Gjithashtu edhe në Pallatin e Sportit…Ditën e Verës e kemi organizuar në disa lokacione. Duke filluar që nga Parku Rinia ku pritet një aktivitet për fëmijët në orën 11:00. Lulishtja para Pallatit të Sportit është më shumë e fokusuar për sportet dhe për ekspozitën e kampionëve të Elbasanit ndër vite. Panairi i zejeve ka disa ditë që është hapur. Dje ka qenë kulmi dhe ka pasur një ndikim të madh në gjithë lëvizjen e qytetit. Kemi një risi. Nëse doni të shikoni recetën e vërtetë të Elbasanit, do ta ekspozojmë në sheshin kryesor. Vjet i bëmë ballokument në sheshin kreysor të qytetit. Këtë vit kemi bërë një cikël të plotë, që nga mënyra e rrahjes deri te pjekja. Me këtë rast do zbulojmë dhe sekretin. Sot aktivitetet mbyllen pas drekës. Ne kemi një traditë që dreka hahet me familjen.

Kryebashkiaku Llatja tha se është i lumtur që Dita e Verës tashmë festohet në të gjithë Shqipërinë dhe janë të lumtur që kanë nxjerrë “sekretet” e Elbasanit. Llatja gjithashtu shtoi se Elbasani sot pret të gjithë miqtë nga gjithë qytetet e vendit.