Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Shëndetësia

Lodra toksike në treg: Rrezik për shëndetin e fëmijëve

Në shumë dyqane në Kosovë mund të gjenden lodra që konsiderohen të rrezikshme për shëndetin e fëmijëve, por edhe të personave tjerë që bien në kontakt me to.

Dhjetëra produkte të plastikës, pambukut dhe xhelatinës, që nuk i plotësojnë kriteret për t’u plasuar në treg, janë identifikuar nga Radio Evropa e Lirë në disa dyqane në Prishtinë, që shesin artikuj me çmime të lira: një euro një lodër.

Lodrat e tilla rrisin rrezikun që fëmijët të përballen me sëmundje të ndryshme, përfshirë edhe dëmtim të shëndetit riprodhues, thonë ekspertë të fushës.

Autoritetet, përfshirë Inspektoratin e Tregut, thonë se bëjnë kontrolle të vazhdueshme.

Sipas direktivave të Bashkimit Evropian, janë tri kritere bazë që duhet të respektohen për t’i importuar dhe vendosur lodrat në treg.

Ato duhet të përmbajnë në paketim ose të ngjitur diku në trup shenjën “CE”, e cila tregon se prodhuesi ose importuesi konfirmon përshtatshmërinë e mallrave me standardet evropiane të sigurisë shëndetësore dhe mbrojtjes së mjedisit, pastaj një letër me përshkrimin dhe përdorimin e produktit, si dhe grup-moshën për të cilën janë të ndaluara.

Kosova plot me lodra “të dyshimta”

Dhjetëra lodra që ka identifikuar REL-i në tregun e Kosovës, nuk i plotësojnë këto kritere.

Me 1 euro, REL-i ka blerë në një dyqan në Prishtinë një set shkollor fals të prodhuesit të njohur të lodrave “L.O.L. Surprise”. Produkti origjinal në ueb-faqe të ndryshme shitet për një çmim që sillet nga 15 deri në 20 euro.

Produkti fals i blerë në Prishtinë nuk e ka mbishkrimin “CE”, nuk ka informacione të përdorimit e as grup-moshën për të cilën nuk rekomandohet përdorimi.

Produkti mban mbishkrimin “Made in China”, ose i bërë në Kinë, ndërsa barkodi, që përmban informacione mbi të, lidhet me një qendër tregtare në shtetin e Libisë.

Dyqani në Prishtinë kishte dhjetëra produkte që, pasi u testuan nga ekipi i REL-it, doli se përmbajnë barkode të rreme.

Njëri nga shitësit në dyqan tha se lodrat vijnë nga Kina dhe se importohen nga një kompani për të cilën refuzoi të ndante detaje.

“Unë i blej nga një person këtu në Kosovë. Ai i merr në Kinë dhe Turqi a Shqipëri, s’jam i sigurt. A kështu, prej Kinës janë – me aq sa di unë”, tha ai.

Nga të dhënat e importit nga Dogana e Kosovës, rezulton se nga 1 janari i vitit 2022 deri më 31 dhjetor 2022, nga Kina janë importuar lodra në vlerë prej mbi 9.7 milionë eurosh.

Lodra të dyshimta edhe në rrugë e sheshe

Albulena Nrecaj nga Prishtina, nënë e një vajze dy vjeçe, thotë se e ka të vështirë t’iu ikë lodrave që mund të jenë të dyshimta.

“Gjithmonë para se të blej lodra për vajzën, ua lexoj përmbajtjen apo kartën e marketingut. Por, fatkeqësisht, lodrat që plotësojnë standardet e sigurisë dhe atë të përmbajtjes së materialeve jo të dëmshme për shëndetin, kanë kosto shumë të lartë. Në anën tjetër, lodrat e dyshimta pa shënimet e nevojshme, janë prezent gjithkund, rrugëve dhe shesheve”, thotë Nrecaj.

“Vajza ime është e ekspozuar ndaj tyre dhe është e pamundur t’ia shpjegoj se pse nuk mund ta ketë një lodër të caktuar, të cilën ajo e dëshiron, se e ka parë në shesh të ekspozuar”, shton ajo.

Rreziku që paraqesin lodrat toksike, ka qenë temë e madhe diskutimi në Kosovë në vitin 2018, kur atëbotë Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka dërguar 15 mostra lodrash në një laborator në Holandë dhe 12 prej tyre kanë rezultuar se kanë qenë të rrezikshme për shëndetin e fëmijëve.

Mes tjerash është konstatuar se ato përmbajnë materie toksike, që mund ta dëmtojnë organizmin e fëmijëve.

Inspektorati i Tregut, asokohe, ka konfiskuar një sasi të lodrave që janë konsideruar të rrezikshme dhe, rrjedhimisht, është ndaluar importi i tyre.

Në një deklaratë me shkrim dhënë Radios Evropa e Lirë, Inspektorati i Tregut thotë se angazhohet vazhdimisht që të mos lejojë lodra të rrezikshme të qarkullojnë në treg.

Sipas këtij institucioni, lodrat që lejohen në treg, duhet t’i përmbushin disa parametra fizikë dhe disa kimikë, pra nuk duhet të përmbajnë elemente kimike të rrezikshme për fëmijët.

“Inspektorati i Tregut sigurohet që të gjitha lodrat që qarkullojnë në tregun e brendshëm, të jenë të shoqëruara me dokumentacion teknik, të lëshuar nga prodhuesi, por edhe nga laboratorët e akredituar, me të cilin dëshmohet se lodrat, para se të vendosen në treg, janë prodhuar dhe testuar konform standardeve përkatëse”, thuhet në deklaratë.

Edhe nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në Kosovë sigurojnë se bëjnë kontrolle të vazhdueshme të lodrave në treg.

“Ne garantojmë se në kuadër të mandatit dhe kompetencave tona, rregullisht bëjmë kontrollin e lodrave, qoftë në tregun e brendshëm, qoftë në pika doganore, para se ato të futen në treg”, thonë nga kjo ministri dhe shtojnë se në muajin prill janë ndaluar gjashtë lloje lodrash që nuk e kanë pasur dokumentacionin e nevojshëm.

Radio Evropa e Lirë kontaktoi edhe laboratorin “SGS” në Holandë, me kërkesën që të lejojë qasje në rezultatet e analizave të kryera me kërkesë të Qeverisë së Kosovës në vitin 2018, por nga kjo kompani thanë se nuk mund t’i ndajnë rezultatet me palë të treta.

Nga “SGS” nuk konfirmuan nëse institucionet e Kosovës kanë dërguar ndonjë mostër tjetër për testim që nga viti 2018.

“Rrezik i lartë” për fëmijët

Siguria e lodrave në Kosovë rregullohet me Rregulloren për Sigurinë e Lodrave, e cila, mes tjerash, specifikon se lodrat duhet të kenë shkronjat “CE” si dhe të gjitha përshkrimet dhe detajet e nevojshme në gjuhën shqipe.

Përkundër kësaj, tregu i Kosovës vazhdon të jetë i mbushur me lodra që që s’u dihet as përmbajtja e as prejardhja dhe kjo paraqet “rrezik të lartë” për shëndetin e fëmijëve, thotë drejtoresha e Klinikës së Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Violeta Grajçevci-Uka.

“Lodrat toksike shkaktojnë dëme te fëmijët, sepse fëmija e prek me dorë lodrën. Po ashtu, fëmijët i vendosin lodrat edhe në gojë – pra, janë të rrezikshme. Lodrat duhet të testohen nga institucionet kompetente”, thotë Grajçevci-Uka.

Nga 15 maji, Radio Evropa e Lirë ka provuar të marrë përgjigje nga Dogana e Kosovës se pse lejohet importi i këtyre produkteve të dyshimta, mirëpo pa sukses.

Në të dhënat e saj për vitin 2022 janë disa kategori të lodrave që hyjnë nga Kina, të tilla si: lodra prej plastikës, kukulla, lodra që paraqesin kafshë ose figura njerëzore, triçikleta, skuterë, makina me pedale e të tjera.

Nga Dogana nuk ka informacione nëse është ndaluar importi i ndonjë sasie apo lloji lodrash në vitet e fundit.

Në Kosovë nuk ka të dhëna sa u takon rasteve të sëmundjeve apo efekteve anësore që mund t’i kenë shkaktuar lodrat toksike.

Megjithatë, ka raste të shpeshta që fëmijëve u rrezikohet jeta pasi përpijnë pjesë të lodrave.

Drejtoresha e Klinikës së Pediatrisë në QKUK, Grajçevci-Uka, thotë se është e nevojshme që gjatë importit, të sigurohet se lodrat janë të sigurta, si nga materiet përbërëse, por edhe nga aspekti fizik i krijimit të tyre.

“Lodrat duhet të vijnë prej vendeve të sigurta”, thotë ajo.

Viteve të fundit, dhjetëra shtete në mbarë botën kanë larguar nga tregjet qindra lloje të lodrave të rrezikshme.

Një raport i publikuar këtë vit ka gjetur se vetëm 10 nga 30 llojet më të shitura të xhelatinës, e njohur “slime”, përmbushnin standardet e Bashkimit Evropian.

Te shumica prej tyre është identifikuar një substancë kimike, që është shtatë herë më e lartë sesa standardet e BE-së, është thënë në raportin që ka publikuar “Toxics-Free Corps”, një organizatë jofitimprurëse me bazë në Kinë, e cila fokusohet në sigurinë kimike dhe çështjet e shëndetit publik.