Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Lufta në Izrael, ambasadorja e Shqipërisë : Jemi në kontakt edhe me shtetasit e Kosovës

Ambasadorja e Shqipërisë në Izrael, Meri Kumbe, ka deklaruar se është në kontakt të vazhdueshëm me shtetasit shqiptarë që ndodhen në Izrael dhe se ata janë prioritet, duke theksuar se disa nga ta janë larguar nga Izraeli.

Kumbe, ka thënë se ata janë në kontakt edhe me shtetasit e Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë Veriore, për t’i ndihmuar gjatë strehimit ose largimit.

“Prej 48 orësh së bashku me ministrin e Punëve të Jashtme, Iglo Hasani, me stafin e ministrisë së Punëve të Jashtme dhe së bashku me stafin e ambasadës shqiptare në Izrael, kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me të gjithë shtetasit shqiptarë të ndodhur në Izrael. Me porosi të ministrit kemi qëndruar pranë tyre për të asistuar për të gjitha nevojat e tyre përgjatë qëndrimit ose largimit të tyre në Shqipëri. Jemi në kontakt dhe u kemi qëndruar pranë shtetasve nga Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut. Në emër të qeverisë shqiptare ju garantoj se të gjithë shtetasit shqiptarë që ndodhën aktualisht në Izrael, jetojnë dhe punojnë këtu, janë prioriteti ynë në këtë moment dhe janë të lirë të kontaktojnë me ne për çdo nevojë që kanë për qëndrimin apo largimin e tyre nga Izraeli. Në bashkëpunim edhe me strukturat izraelite, kemi bërë të mundur largimin e tyre sipas kërkesave dhe nevojave të tyre”, ka deklaruar ambasadorja Kumbe, përmes një video mesazhi në Facebook.

Sipas të dhënave, mbi 600 izraelitë raportohen të vrarë nga sulmet e Hamasit, derisa mbi 2.000 të tjerë janë plagosur e shumë të tjerë janë rrëmbyer.

Ndërsa, autoritetet izraelite i kanë vrarë mbi 400 anëtarë të Hamasit.