Ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci ka vizituar sot familjen Brajshori në 25-vjetorin e rënies së dëshmorit Behxhet Brajshori.
Ai me këtë rast u takua me të bijën e heroit të Kosovës, Shyhrete Brajshorin, me të cilën kanë kujtuar heroin Behxhet Brajshori.
“Behxhet Brajshori ra dëshmor duke luftuar me forcat ushtarake të Serbisë, në mesditën e 19 prillit të vitit 1999, te Suka e Radashecit, pasi kishte luftuar deri në plumbin e fundit. Lavdi dëshmorit të Kosovës, Behxhet Brajshorit, luftëtarit trim të UÇK-së, i rënë për lirinë e Kosovës”, ka shkruar Maqedonci në Facebook.
Behxhet Musli Brajshori u lind në Sharban të Epërm, më 7 tetor 1961. Qysh në vitin 1994, ai ra në kontakt me grupin gueril të Zahir Pajazitit dhe prej atëherë u angazhua në aktivitete dhe aksione të armatosura për çlirimin e Kosovës nga Serbia pushtuese.
Në tetor 1998, Behxheti e mori komandimin e dhjetë luftëtarëve të lagjes Brajshori të Sharbanit, ndërsa pas krijimit të Brigadës 153 në kuadër të Zonës Operative të Llapit, iu ngarkua ta komandonte edhe kompaninë “Buna 26b”.
“Pikërisht aty u njoha me profilin prej patrioti dhe luftëtari të vendosur të Behxhet Brajshorit që mbeti i atillë deri në fund dhe deri sot në kujtimet e mia,” ka shkruar Maqedonci.