Deputetja më e vjetër e Kuvendit të Shqipërisë, Luljeta Bozo, e cila ka punuar një jetë si inxhiniere ndërtimi, ka rrëfyer në “Quo Vadis” të moderuar nga Pranvera Borakaj në Vizion Plus, se si ka qenë njohja dhe jeta me bashkëshortin, Todi Bozo.
Luljeta ka treguar se ai ka qenë një person i mrekullueshëm, ndërsa ka kujtuar dhe shëtitjen e parë me të në Kodrat e Liqenit.
Pjesë nga biseda:
Luljeta Bozo: 55 vjet jetova me Todin dhe kam kaluar një jetë të jashtëzakonshme.
Pranvera Borakaj: Kishit një kimi të jashtëzakonshme, kuptoheshit pa folur, pa shikim?
Luljeta Bozo: Pa folur fare merreshim vesh. U fejuam në shtator, dhe në mars u martova.
Pranvera Borakaj: Isha direkt dakord?
Luljeta Bozo: Ka një gjë që unë nuk di ta shpjegoj, por po nuk qe ajo gjë nuk bëhet. Todi kishte shumë gjëra të mira, jashtëzakonisht, dhe unë kisha ca të mira. Mund të jenë shumë të mirë të dy dhe nuk lidhen, mungon ajo “cëk” që mund të të bëjë në zemër, po nuk lindi ajo nuk shkon asnjë gjë. Merre me mend që unë vetëm një herë në 6 muaj e fejuar me Todin kam shkuar nga liqeni dhe në atë kohë kishim një si melodi neve.
Pranvera Borakaj: Cila ishte melodia?
Luljeta Bozo: Nuk e mbaj mend, por me fërshëllimë ishte. Unë isha në kat të gjashtë se bënim vizatim teknik dhe unë mënjëherë i them profesorit të iki unë një çikë, ik më tha. Ikëm nga liqeni me Todin, morëm bukë me qofte. Todi ishte i paparë, kiishte një kulturë, një zemër të paparë. Kjo ishte shëtitja e parë që kemi bërë nga liqeni dhe njëherë në kinema në 6 muaj.
/Vizionplus.tv/