Lideri i LDK’së, Lumir Abdixhiku ka shkruar disa fjalë për tashmë të ndjerën, Hava Maloku, gruan e Enver Malokut e cila vdiq sot.
Abdixhiku përmes një shkrimi në Facebook u ka shprehur ngushëllime familjes së të ndjerës, duke u kërkuar prej tyre që në këto momente të bëhen të fortë.
Postimi i plotë i Abdixhikut në Facebook:
Zonja Havë ishte një grua e fortë!
Asaj, barra e orëve të rënda, i kishte përcaktuar fatin e gjetjes së forcës përtej humbjes së madhe. Dhe këtë forcë e kishte gjetur mu siç dinte ajo, duke qenë e dashur, e buzëqeshur – duke qenë një zonjë e rëndë!
Hava Maloku na la sonte. Me të u shua dhe një copëz e historisë së takimeve për çdo 11 janar. Ishte përplot dritë e mirësi. Këtë vit, kishte gjetur forcën të ngrihej nga shtrati i fundit i saj, për të shpalosur bashkë me ne pllakën e portretin përkujtimor të Enverit, bashkëshortit të vrarë në 11 janarin e vitit të lirisë. E dinim, të gjithë, se ky duhej të ishte takimi ynë i fundit. E sado që ishte vështirë, e dinim të gjithë, ne dhe ajo, se ky duhej të ishte kujtimi e kuptimi i fundit nga kjo shtëpi e demokracisë. Pimë kafen bashkë, e përcollëm bashkë. Na la me përplot buzëqeshje. Siç bënte përherë!
E dashura Doruntinë, i dashuri Drin e Lon, në emër të gjithë anëtarësisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, ngushëllime për humbjen e nënës suaj. Bëhuni të fortë, siç u bë ajo kur kishit nevojë për të!
Zonja Havë, bashkohu në parajsën e pasosur me Enverin që aq shumë e deshe e të mungoi!