Drejtoresha e Arsimit në komunën e Prishtinës, Jehona Lushaku e cila të enjten njoftoi se nga shtatori në shkollat e kryeqytetit do të fillon mësimi tërëditor, ka kritikuar nivelin e diskutimit të pushtetit karshi temës së arsimit.
Lushaku ka thënë se në vend që të diskutohet për cilësinë e arsimit, pushteti krenohet se në ditën e parë të hapjes së aplikimit për subvencionim të teksteve shkollore kanë aplikuar 60 mijë prindër.
“Në vend se temë kryesore ta kemi ngritjen e cilësisë në arsim, pushteti krenohet se ditën e parë të hapjes së aplikimit për subvencionim të teksteve shkollore kanë aplikuar 60 mijë prindër, duke e cilësuar si sukses. Kuptojeni vet se çfarë është sukses për këtë pushtet”, tha Lushaku.
Drejtoresha e Arsimit nga radhët e Lidhja Demokratike e Kosovës, të enjten paralajmëroi për “reformën arsimore më të madhe ndonjëherë në Prishtinë”.
“Në kryeqytet ka mijëra nxënës në një shkollë, në ciklin e ulët nga klasa e parë deri në të pestën do të implementohet mësimi gjithëditor, ndërsa nxënësit e klasave 6-9 do të akomodohen në objekte të tjera. Ne i kemi rinovuar të gjitha objektet ku do të sistemohen këta nxënës” tha ajo.