Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që Ligji për Zyrtarët Publikë t’i dërgohet Presidentes së Kosovës për shpallje, pa dispozitat e konstatuara në kundërshtim me Kushtetutën dhe sipas specifikave të përcaktuara në Aktgjykimin e Gjykatës.
Një nga kundërshtarët më të zëshëm të këtij ligji, Mërgim Lushtaku nga PDK e ka mirëpritur këtë vendim të Kushtetueses.
“Neve na vjen mirë që të gjitha argumentet tona, e gjithë puna e Grupit Parlamentar të PDK-së të vërtetohet nga Gjykata Kushtetuese që ka pasur të drejtë Partia Demokratike e Kosovës”, thotë ai.
Ai thotë se me këtë, shihet se pushteti po tenton kapjen e institucioneve të vendit.
“Ndërsa në anën tjetër po shihet tendenca e mazhorancës dhe Qeverisë Kurti në kapjen e institucioneve të vendit, duke i kryqëzuar kështu edhe shërbyesit civil të cilët janë punëtorë të administratës publike, dhe të institucioneve të Kosovës”, tha ai.
Ndryshe, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se disa dispozita të Ligjit për Zyrtarët Publik nuk janë në përputhshmëri me Kushtetutën.
Gjykata ka vendosur që Ligji i kontestuar t’i dërgohet Presidentes për shpallje, pa dispozitat e konstatuara në kundërshtim me Kushtetutën dhe ka urdhëruar Kuvendin që brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e Aktgjykimit të ndërmarrë veprimet e nevojshme për plotësimin dhe ndryshimin e disa paragrafëve të këtij ligji.
“Bazuar në konstatimet e mësipërme, Gjykata gjithashtu vendosi: (i) të konstatojë që në bazë të nenit 43 (Afati) të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, Ligji i kontestuar i dërgohet Presidentes së Republikës së Kosovës për shpallje, pa dispozitat e konstatuara në kundërshtim me Kushtetutën dhe sipas specifikave të përcaktuara në Aktgjykimin e Gjykatës; (ii) në pajtim me paragrafin 1 të nenit 116 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës, të urdhërojë Kuvendin e Republikës së Kosovës që brenda gjashtë (6) muajve nga hyrja në fuqi e Aktgjykimit, të ndërmarr veprimet e nevojshme për plotësimin dhe ndryshimin e: (a) paragrafit 6 të nenit 67 (Lista e pritjes); (b) paragrafit 6 të nenit 27 (E drejta për informim për marrëdhënien e punës dhe e drejta e ankesës) dhe paragrafëve 3 dhe 4 të nenit 88 (E drejta për ankesë e nëpunëses/it të shërbimit publik) dhe nenit 6 (Nëpunësja/i civil me status të veçantë) të Ligjit të kontestuar, në pajtim me Kushtetutën dhe këtë Aktgjykim; dhe (iii) të përcaktojë që Aktgjykimi hyn në fuqi me publikimin e tij në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës”, thuhet në vendimin e Kushtetueses.