Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​LVV-ja përkujton Arben Xheladinin e Mon Balajn në 17 vjetorin e vrasjes së tyre

 
   

Në 17 vjetorin e vrasjes së ish-aktivistëve të Vetëvendosjes, Arben Xheladini dhe Mon Balaj, drejtues të Lëvizjes Vetëvendosje bënë homazhe te pllaka përkujtimore e tyre.

Në protestën e 10 shkurtit të vitit 2007, kundër Pakos së Ahtisarit, ku morën pjesë mijëra qytetarë, Xheladini e Balaj u vranë nga Policia Ndërkombëtare e UNMIK-ut.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se sot po i përkujtojnë me mallë, dhimbje dhe krenari Arben Xheladinin e Mon Balajn, për të cilët tha se u vranë padrejtësisht në protestën paqësore nga Policia Ndërkombëtare e UNMIK-ut, me 232 plumba gome me afat të skaduar e të keqpërdorur jashtë protokoleve të Kombeve të Bashkuara.

Kurti potencoi se me paraqitjen e Pakos së Ahtisarit para 17 vjetësh, LVV-ja kishte kundërshtuar e kritikuar shumë koncesione monoetnike për vendin tonë, ulëset e garantuara dhe të rezervuara në Kuvendin e Kosovës me të drejtë vetoje për pakicën serbe, eksterritorialitetin me baza fetare, decentralizmin mbi baza etnike, derisa shtoi se kundërshtuan edhe pjesëmarrjen e Kosovës në borxhin e jashtëm të Serbisë dhe shuarjen e trupave mbrojtëse të Kosovës.

Ai shtoi se marshi i protestuesve atë kohë u ndal përgjysmë nga forcave të shumta policore, për të cilët thotë se ajrin e sheshit e mbushën me gaz lotsjellës, ndërsa rrugën kryesore të kryeqytetit e “përgjakën me gjakun e Mon Balajt, Arben Xheladinit por edhe 80 protestuesve të tjerë që u plagosën dhe lënduan.

Kurti: Marshimi ynë paqësor u ndal përgjysmë prej forcave të shumta policore

“Sot më 10 shkurt ne i përkujtojmë me mall e dhimbje por edhe me krenari Mon Balajn dhe Arben Xheladini. Dy aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje të cilët u vranë para 17 vjetëve nga Policia Ndërkombëtare e UNMIK-ut, 232 plumba gome me afat të skaduar dhe të keqpërdorura jashtë protokoleve të Kombeve të Bashkuara u hodhën mbi gjokset dhe kokat e protestuesve paqësor atë ditë të 10 shkurtit 2007. Me 2 shkurt të vitit 2007 në Kosovë pat zbritur Pakoja e Ahtisarit e cila u kundërshtua dhe u kritikua nga Lëvizja jonë Vetëvendosje meqenëse parashihte shumë koncensione monoetnike në vendin tonë. Ne atë botë kundërshtuam ulëset e garantuara e të rezervuara në Kuvendin e Kosovës me të drejtë vetoje për pakicën serbe, eksterritorialitetin mbi baza fetare, decentralizmin mbi baza etike, pjesëmarrjen e Kosovës në borxhin e jashtëm të Serbisë, shuarjen e trupave mbrojtëse të Kosovës dhe vazhdimin e sundimit ndërkombëtar me fuqi ekzekutive mbi neve e pa llogaridhënie ndaj neve. Ajo ishte një protestë paqësore, u patëm grumbulluar tek rruga Perandori Justinian në qytezën Pejton, nëpër sheshin Nëna Terezë për të shkuar tek përmendorja e Skënderbeut. Mirëpo, këtu marshimi ynë paqësor u ndal përgjysmë prej forcave të shumta policore”, tha Kurti.

Kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca tha se Mon Balajn e Arben Xheladinin i quan dëshmorë të qytetarisë dhe përpjekjes së vazhdueshme që shteti ynë të jetë sovran dhe i kompletuar.

Ai shtoi se rënia e Mon Balajt e Arben Xheladinit pas vitit 1999 dhe rënia në krye të detyrës të Enver Zymberit e Afrim Bunjakut pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovë, tregon se po vazhdon përpjekja që Kosova të jetë shtet i dinjitetshëm dhe i kompletuar në mesin e shteteve të barabarta të gjithë botës.

Konjufca: Përpjekja për shtetin e Kosovës po vazhdon edhe pas pavarësisë

‘Kjo është një ngjarje shumë e rëndësishme në historinë e re të Kosovës, sepse tregon që përpjekja për sovranitet e popullit tonë nuk është ndalur kurrë. Ajo ka vazhduar edhe pas vitit 1999, sepse kjo i bie që edhe pas vitit 1999 ne kemi pasur dëshmorë, siç është Arben Xheladini e Mon Balaj. Këta janë dëshmorë të qytetarisë, dëshmorë të përpjesës së vazhdueshme të popullit të Kosovës që shteti me qenë i plotë, i barabartë dhe ne me qenë qytetarë të një shteti të dinjitetshëm. Kjo është arsyeja pse ranë Moni dhe Arbeni. Por, pastaj edhe me rënien e Enver Zymberit në krye të shtetit tonë dhe të Afrim Bunjakut tash së fundi, po tregohet që përpjekja po vazhdon edhe pas pavarësisë për shtetin tonë, edhe pas vitit 2008. Sepse është një përpjekje për shtetin tonë të jetë i kompletuar, të jetë në mesin e shteteve të barabarta të gjithë botës“, tha Konjufca.

Lëvizja Vetëvendosje 17 vjet më parë organizoi protestë në shenjë kundërshtimi ndaj besimeve Kosovë-Serbi dhe pakos së Martti Ahtisaari-t, në të cilën si rezultat i ndërhyrjes së policisë rumune të UNMIK-ut mbetën të vrarë, Arben Xheladini dhe Mon Balaj.

Në protestë morën pjesë mijëra vetë dhe ajo eskaloi në momentin që janë hequr rrethojat e vendosura në mes të sheshit.

Ishte policia e rumune e UNMIK-ut ajo që reagoi në mënyrë të dhunshme duke përdorur edhe armë vdekjeprurëse. Përveç vrasjes së dy aktivistëve, kishte edhe shumë të plagosur.