Ai është shqiptari i parë që futet në shtëpinë më të madhe të magjisë në botë, magic caste në New York. Performancat e tij prej magjistari janë nga më të ndryshmet, si për të rritur ashtu edhe për fëmijë. Ai është një nga shqiptarët më të mirë në performancë duke arritur edhe në majat e suksesit. Sot në Vizioni i Pasdites, të moderuar nga Brikena Prifti, Sali Buzhala vjen me rrëfimin e rrallë për rrugëtimin dhe suksesin, nga Kosova në Amerikë.
Buzhala: Ka kaluar një dekadë që jam këtu. Që fëmijë kam pasur dëshirë të performoj, kam parë në televizion një magjistar dhe jam frymëzuar nga ai. Gjithmonë e kam pasur ëndërr të bëhem magjistra dhe sot, jam këtu ku jam. Para 5-6 viteve kam dalë në skenë. Kam filluar këtu në New York në ditëlindjet e fëmijëve. Pastaj duke u perfeksionuar, sot jam shumë i lumtur që jam pjesë e magjistarëve të shtëpisë së magjisë në New York.
Si i ke mësuar truqet e magjisë?
Buzhala: Unë po profesionalizohem me kalimin e kohës. Shpresoj që një ditë të jem edhe në Tiranë. I kam mësuar duke i parë, por u frymëzova kur isha në Hollywood sepse ata kishin dhe shkollën e magjistarëve për ata që janë anëtarë të klubit, mendoj se do të shkoj dhe do të certifikohem edhe atje.
Mendoj se është talent i lindur por edhe mund të mësohet. Por nëse e ke edhe të lindur edhe e mëson mendoj se je i kompletuar. Emoconohem shumë kur performoj para fëmijëve. Entuziasmohen shumë, lumturohen shumë. Kur i shoh fytyrat e tyre të buzëqeshura…jam shumë i lumtur kur performoj për ta. Kur jam para fëmijëve në Kosovë, nuk dua asnjë pagesë. Kam kënaqësi shpirtërore kur jam para atyre, dua që ta shijojnë performancën time.