Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Maliqi: I kapur gafil si mashtrues, Vuçiq do të detyrohet të nënshkruajë marrëveshjen finale

Analisti politik, Shkëlzen Maliqi, tha se pas sulmit makabër të Banjskës nga grupi i terroristëve do të ketë një qasje të re nga Brukseli, por jo duke i hedhur poshtë ato që janë arritur deri tash.

“A ka vdekur dialogu i Brukselit pas Banjskës? A duhet rifilluar nga para me një qasje të re?”, pyet Maliqi.

“Jam i bindur se qasje të re do të ketë por jo duke hedhur poshtë atë që është arritur në Bruksel me “dialogun e dështuar”. Janë 40 marrëveshje  teknike dhe politike që mundësojnë normalizimin e marrëdhënieve të dy vendeve, dhe është marrëveshja politike e Ohrit në bazë të Planit Franko-Gjerman, që është kapital i madh për ta hedhur poshtë si dështim”.

Ai thotë se Vuçiqi nuk po ndëshkohet sepse diplomacia perëndimore po punon në mjekimin e “dorës së tij të sëmurë” që ia pamundësonte firmosjen formale të Marrëveshjes së Ohrit, sidomos të agjendës implementuese.

Maliqi thotë se nëse Vuçiq nuk nënshkruan duhet të mësojë nga fati i kriminelit të luftës, Sllobodan Millosheviq.

“Tani s’ka më arsyetime, i kapur gafil si mashtrues, Vuçiqi do të detyrohet të nënshkruajë marrëveshjen finale dhe çka do të ndodhë me të mund ta mësojë nga fati i idolit të tij Milosheviq, të cilin po ashtu e “përkëdhelnin” deri sa nënshkruante marrëveshjet, por u ndëshkua për mosfirmosjen e Kosovës, e pastaj edhe Serbia e dorëzoi me qejf në Hagë”.

Maliqi tha se Vuçiqi në dukje mund të shihet edhe duke u amnistuar pas sulmit terrorist.

“A po amnistohen dhe “përkëdhelen” sërish Vuçiqi dhe Serbia pas skenarit makabër të dështuar në Banjska si dhe cirkuzit me “masat” e ndërmarra  ndaj kryeterroristit Radoiçiq? Në dukje po, Vuçiq mbetet bashkëbisedues i vetëm që përfaqëson Serbinë në tryezat e rëndësishme politike ku diskutohet kriza në rajon dhe si duhet të procedohet tutje”.

Maliqi komentoi edhe qëndrimin e kryeministrit Kurti në marrëveshjen e Ohrit.

“Sa i përket qëndrimit të Kosovës për vdekjen e dialogut, duhet të kujtohemi se  Km Kurti e ka lonë blanko premtimin e firmosjes së marrëveshjes, që është edhe një element i kapitalit të diplomacisë për finalizimin e procesit të Brukselit. Vetëm se është një mesazh paralajmërues nëpër muret e ndërtesave në Prishtinë, i lënë nga ish kamaradët e Kurtit, që ndërkombëtarët ndoshta nuk e kanë përkthyer: “DO TË JU MASHTROI!” Shpresoj se mesazhi vlen vetëm për ata kosovarë, jo të pakët, që ende besojnë në të. Maliqi shtroi pyetjen nëse presidenti serb Vuçiq po përkëdhelet sërish pas dështimit të sulmit në veri”.