Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Maloku për Bislimin: Akteri më kundërthënës në kuptimin e të thënës dhe të bëmës

 
   

Sot është mbajtur takimi mes emisarit special për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak dhe kryenegociatorit kosovar, Besnik Bislimi.

Lajçak njoftoi se përveç tjerash në këtë takim është diskutuar edhe për vendimin e BQK-së për dinarin, pavarësisht që kryenegociatori Bislimi ditë më parë kishte deklaruar se nuk do të diskutonte për një gjë të tillë.

E për këtë çështje analisti politik, Albinot Maloku tha se kjo nuk është befasi për të pasi sipas tij, Bislimi është akteri më kundërthënës në kuptimin siç tha ai, të thënës dhe të bëmës.

“Lajçak e përmendi dhe tha se kemi diskutuar edhe për këtë çështje i bie që ka një diskutim të nivelit politik. Një çështje që është kundërshtuar vet nga kyenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi edhe pse kjo për mua nuk është befasi, për arsye se ai është akteri më kundërthënës në kuptimin e të thënës dhe të bëmës sa i përket angazhimit të vet në këtë pozicion që e ka aktualisht”, tha Maloku.

Derisa për emisarin Miroslav Lajçak tha se ai pas procesit zgjedhor në Parlamentin Evropian mund edhe të mos jetë më në këtë pozitë, por që sipas tij, ai do të angazhohet që të ketë diçka për të ofruar si sukses në këtë rrugëtim.

“Gjithsesi që pas procesit zgjedhor që do të mbahet në Parlamentin Evropian edhe mekanizmat tjerë institucional do të pësojnë ndryshimet e veta. Mund të mos jetë Lajçak, gjithsesi se ai angazhohet maksimalisht që të ketë diçka për të ofruar si sukses përfundimtarë  i tij në këtë rrugëtimin prej sa kohësh në krye të lehtësimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Dhe ai do të mundohet maksimalisht të nxjerrë diçka sukses nga ky rrugëtim”, shtoi ai.

Ndryshe, Besnik Bislimi nuk u prononcua për medie pas takimit me emisarin e BE-së, por përmes një komunikate njoftoi se çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut në Bruksel.