Në mbledhjen e Qeverisë më 15 mars, kryeministri Albin Kurti ka kërkuar nga Agjencia Kadastrale e Kosovës ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për t’ia regjistruar pronën Manastirit të Deçanit.
Historianët e Kosovës një gjë të tillë po e konsiderojnë si jo të drejtë, pasi nuk përkon me realitetin dhe të dhënat historike dhe se me këtë po cenohet identiteti historik dhe kulturor i Kosovës.
Bedri Muhadri nga Instituti i Historisë, thotë për KosovaPress se ky vendim cenon identitetin historik dhe kulturor të Kosovës. Sipas tij, arsyeja që ka ardhur në këto vendime bazohet në faktin që në vitin 2021 organizata “Europa Nostra” e ka cilësuar Manastirin e Deçanit si “të rrezikuar.”
Muhadri: Evropa Nostra e ka cilësuar Manastirin e Deçanit si të rrezikuar
“Vendimi si i tillë mbetet për të mos u përkrahur, sepse në radhë të parë cenohet identiteti historik, kulturor i Dardanisë dhe Kosovës që bart në vete. Si pjesë e tërë kulturës shpirtërore, arkeologjike dhe historike është edhe Manastiri i Deçanit dhe manastireve tjera në specifiket e veta historike në një kohë të sunduesit… është cenim i identitetit tonë historik, por edhe qasja e kryeministrit lë për të dëshiruar dhe jo shumë e admirueshme për faktin se thotë vendimin po e zbatojmë edhe pse është vendim i dëmshëm… Arsyeshmëria pse ka ardhur deri te këto vendime, bazohen në faktin që në 2021 organizata “Evropa Nostra” e ka cilësuar Manastirin e Deçanit se është në gjendje të rrezikshmërisë, që rrezikohet nga popullata vendase”, ka thënë Muhadri.
Sipas tij, vendimi nuk është dashur të zbatohet si kompromis, pasi kompromiset po derivojnë me kompromise të ardhshme.
Muhadri: Vendimi nuk është dashur të zbatohet si kompromis
“Për mendimin tim është një vendim jo i drejtë, i cili nuk përkon me realitetin dhe të dhënat historike, vendim për të cilin kanë thënë vetë institucionet, krerët tanë pak para se të vjen në zbatim, sepse kanë kontestuar mënyrën se si ka ardhur deri te vendimi i Gjykatës Kushtetuese…Nëse thuhet po bën kompromis për të hyrë në Këshillin e Evropës, po njohim pronat e manastirit ortodoks, pastaj mund të vijë një ditë që për t’u futur në UNESCO si pjesë e organizatës të ruajtjes të trashëgimisë botërore, atëherë mund të jetë që të avancohet statuti i këtyre institucioneve…Vendimi nuk është dashur të zbatohet si kompromis, sepse kompromiset po derivojnë me kompromise të ardhshme, rrjedhat politike gjithherë kanë shkuar duke u avancuar në kompromise të mëtejshme. Institucionet e shtetit gjithherë duhet të kenë parasysh që me kompromise nuk prosperohet ardhmëria e vendit”, ka shtuar ai.
Për Manastirin e Deçanit, historiani Muhadri ka theksuar se është ndër më të rëndësishmit të trashëgimisë kulturore mesjetare dhe ballkanike.
Muhadri: Është ndër manastiret më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore mesjetare e ballkanike
“Manastiri i Deçanit është institucion i rëndësishëm kulturor, mesjetar i cili rezulton si vlerë mjaft e rëndësishme e trashëgimisë historike, kulturore të Kosovës. Kur themi trashëgimi e Kosovës domosdo duhet të them se Manastiri i Deçanit e ka historiken e vet të formimit dhe veprimtarisë si institucion kulturor dhe religjioz…Manastiri i Deçanit sot është ndër manastiret më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore mesjetare dhe ballkanike dhe është në listën e trashëgimisë kulturore, botërore të UNESCO-s… Historia e manastirit dhe trashëgimia që bart Manastiri i Deçanit është pjesë e kulturës historike dhe mesjetare të Kosovës dhe të popullit shqiptar në përgjithësi si real arbëror”, ka theksuar Muhadri.
Ndryshe, Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë sot ka konfirmuar se Manastiri i Deçanit ka regjistruar në emër të tij 24 hektarë tokë në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, pasi kryeministri Albin Kurti më herët gjatë këtij muaji urdhëroi të bëhej një gjë të tillë.
Kurti kishte deklaruar se Qeveria e Kosovës ka qenë para dy opsioneve, të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të mundësohet ecja tutje me qëllim të anëtarësimit në Këshillin e Evropës këtë vit ose heqja e çështjes së Kosovës nga agjenda e anëtarësimit.