Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit sot ka lëshuar një komunikatë kuka konfirmuar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2016 është zbatuar dhe se manastiri është njohur edhe në Kadastër si pronar i pronës që ishte kontestuar më parë.
Kisha Ortodokse Serbe konfirmon se përfaqësuesi i autorizuar i manastirit sot në Kadastrën Qendrore të Kosovës në Prishtinë ka marrë një certifikatë të rregullt kadastrale me të gjitha pasuritë e Manastirit të Deçanit, duke përfshirë edhe 24 hektarët që i janë njohur manastirit me vendim të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në vitin 2016.
“Në bazë të ekstraktit kadastral mund të konfirmojmë që është zbatuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2016 dhe Manastiri edhe në kadastër njihet si pronar i tokës së kontestuar më herët. Me këtë ne mundemi konkludojmë se procesi i kahershëm ligjor që është zhvilluar rreth 24 hektarëve tokë të Manastirit t Deçanit më në fund është zgjidhur”, thuhet në njoftim më 20 mars.
Më 13 mars, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se i kishte kërkuar Agjencisë Kadastrale që të transferojë 24 hektarë tokë në emër të Manastirit të Deçanit. Ai tha se zbatimi i vendimit të Kushtetueses do të ishte vendimtar për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, gjatë Asamblesë Parlamentare të këtij institucioni, që do të mbahet në prill.
Vendimi i Qeverisë së Kosovës ishte kritikuar nga zyrtarët lokalë në Deçan dhe një shoqatë e historianëve në këtë komunë, që e kanë cilësuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese si të padrejtë.