Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Maqedonci: FSK në gatishmëri për çdo kërcënim dhe rrezik që paraqitet në vend

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka thënë se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka në gatishmëri njësitet e saja për çdo kërcënim dhe rrezik që paraqitet në vend. Kjo deklaratë e tij erdhi pas raportimeve se Serbia ka vendosur njësi ushtarake pranë kufirit me Kosovën.

Në një intervistë të dhënë për agjencinë e lajmeve Anadolu, Maqedonci ka folur edhe për tensionet e fundit me Serbinë, procesin e shndërrimit të FSK-së në ushtri, planet për t’u anëtarësuar në NATO, ndihmën e tyre ushtarake për Ukrainën dhe marrëdhëniet ushtarake Kosovë-Turqi.

Maqedonci tha se vendosja e shumë njësive ushtarake të Serbisë afër kufirit me Kosovën paraqet rrezik, derisa theksoi se ushtria dhe xhandarmëria serbe kanë 48 baza operative në afërsi të kufirit me Kosovën.

“Duke i shtuar kësaj militarizimin e ushtrisë dhe Serbisë në përgjithësi, ku vlen të theksohet blerja e sistemeve të ndryshme të armatimit nga Kina, Rusia, madje edhe Irani, e shohim këtë si një kërcënim të vazhdueshëm të sigurisë në Republikën e Kosovës por edhe në vendet e tjera përreth”, theksoi Maqedonci.

Sipas ministrit kosovar, këto zhvillime bazohen në politikën hegjemoniste dhe agresive të qeverisë serbe ndaj Kosovës dhe fqinjëve të tjerë.

“Kjo gjë thuhet haptas. Kemi pasur deklaratat e fundit të presidentit Vuçiq se Serbia pret një moment të favorshëm për të marrë veprime ushtarake kundër Kosovës, por kjo na jep të dimë se duhet t’i zhvillojmë kapacitetet tona dhe të ndërtojmë ushtrinë tonë jo vetëm për të përballuar këtë kërcënim, por edhe për t’u ballafaquar me kërcënime të tjera që cenojnë sigurinë dhe territorin e vendit tonë”, theksoi ai. /AA