Ministri i FSK-së, Ejup Maqedonci, në një intervistë për FRONTAL të T7 ka thënë se Kosova është në vazhdimësi në koordinim me KFOR dhe NATO dhe partnerët e tjerë për rreziqet dhe kërcënimet që vijnë nga Serbia, shkruan Gazeta Express.
Maqedonci ka thënë se pas sulmit të Banjskës është rritur numri i ushtarëve të KFOR-it në vijën kufitare dhe potencon se një gjë e tillë e ka rritur sigurinë në vijë kufitare me Serbinë.
Ministri Maqedonci ka thënë se ushtria e Kosovës përgatitet gjithmonë sipas detyrave për ruajtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës dhe thotë se për këtë s’kanë kufizime.
Maqedonci për FRONTAL ka thënë se FSK ka kufizime në aspektin e koordinimit paraprak, por jo në atë të veprimit në terë territorin e Republikës së Kosovës. Ai ka thënë se Kosova dhe të gjitha institucionet janë të gatshme të përballen me çdo rrezik që i kanoset vendit.
“Ne në vazhdimësi jemi në koordinim me KFOR dhe NATO dhe partnerët për të gjitha rreziqet dhe kërcënimet. Kemi rritje të numrit të KFOR-it në vijën kufitare me Serbinë. Kjo është bërë pas sulmit të Banjskës dhe lëvizjes së grupeve të armatosura. Kjo ka rritur sigurinë në vijë kufitare. Ne përgatitemi gjithmonë, sepse detyre kryesore kemi ruajtjen e integritetit dhe sovranitetit territorial. Për këtë s’kemi kufizime. Ne kemi kufizime në aspektin e koordinimit paraprak, por jo të veprimit në tërë territorin e Kosovës. Prandaj vlerësoj që të gjitha institucionet, në veçanti ushtria e Kosovës, është e gatshme për t’u përballur me çdo kërcënim dhe rrezik që i kanoset Kosovës”, ka thënë Maqedonci në FRONTAL.