Ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci ka pritur në takim ministrin e Mbrojtjes së Italisë, Guido Crosetto.
Ministri Maqedonci ka njoftuar se kanë diskutuar rreth situatës së sigurisë në vend si dhe format se si mund të zgjerojnë bashkëpunimin në fushën e shkollimit si dhe trajnimit të ushtarakëve, e po ashtu në fushën e industrisë së mbrojtjes.
“Ministrin e falënderova për mbështetjen që Italia i ka ofruar Kosovës, veçanërisht në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes duke qenë shteti me pjesëmarrjen më të madhe të trupave në kuadër të misionit të KFOR-it. Ndërsa po ashtu e njoftova rreth mbështetjes që jemi duke i ofruar Ukrainës përmes ofrimit të trajnimeve dhe dhurimit të automjeteve taktive e municioneve që pritet të dërgohen së shpejti”, ka njoftuar Maqedonci në rrjetin social Facebook.
Maqedonci tha se ka kërkuar mbështetjen e Italisë në proceset për anëtarësimin e Kosovës në BE dhe në NATO, për të cilën tha se ka pranuar konfirmin nga ministri Crosetto për mbështetje të pakursyer të Italisë.
“Integrimi i Ballkanit në BE dhe në NATO të dy ishim dakord se do të krijonte stabilitet dhe paqe të qëndrueshme. Grazie Italia!”, ka shkruar ai.