Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Maqedonia e Veriut në prag të fushatës presidenciale

Kandidatët për president të Maqedonisë së Veriut po mbledhin nënshkrimet e nevojshme për të hyrë në garë. Për këtë duhen 10 mijë nënshkrime ose mbështetja e tridhjetë deputetëve në parlament. Në garë deri tani janë 13 kandidatë, ndër ta edhe individë të panjohur për publikun. Partitë shqiptare edhe pse garojnë për zgjedhjet e 24 prillit, po e përqendrojnë kërkesën e tyre tek zgjedhja e presdentit me konsensus në parlament.

Garuesit e partive kryesore maqedonase, VMRO-DPMNE dhe Lidhja Social Demokrate pritet të konfirmohen nga kuvendet qendrore të partive. Stevo Pendarovski i Lidhjes Social Demokrate do të garojë për një mandat të dytë, teksa Gordana Siljanovska Davkova e VMRO-DPMNE-së garon sërish pas pesë vjetësh. Në vitin 2019 ajo humbi përballë zotit Pendarovski.

Shqiptarët përfaqësohen me Bujar Osmanin e Bashkimit Demokratik për Integrim dhe Arben Taravarin e opozitës së njohur tani me moton ‘VLEN’.

Këta të fundit pritet të marrin dhjetra mijë vota në raundin e parë, por pak është e besueshme se njëri nga ta mund të kalojë në raundin e dytë, sepse deri më tani nuk ka ndodhur që një shqiptar të përballet në balotazh me një garues maqedonas për president. Por, është elektorati shqiptar që ndihmon zgjedhjen e presidentit në këtë vend.

Për të fituar zgjedhjet që në raundin e parë nevojitet mbi pesëdhjetë përqindëshi i votave të elektoratit. Maqedonia e Veriut ka pak mbi 1 milion e 800 mijë votues, ndërsa shënohet një trend në ulje i interesimit për të votuar.

Analisti Xhelal Neziri vlerëson se zgjedhjet presidenciale do të jenë të tensionuara për shkak se mbahen vetëm dy javë para zgjedhjeve parlamenare.

“Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të jetë një lloj ankete, ose matje e peshës për partitë politike dhe një lloj momenti që mëpastaj mund të shfrytëzohet dhe materializohet për zgjedhjet parlamenatre. Në rast se një kandidat fiton në zgjedhjet presidenciale atëherë edhe partia politike më pas do të mundohet të ndërtojë një narrativ fitues, të promovojë një eufori edhe për zgjedhjet parlamentare. Për këtë arsye, mendoj se do të jenë këto zgjedhje të tensionuara mirëpo duke pasur parasyshë profilin e vetë kandidatëve që garojnë, mendoj se do të jetë interesante dhe përmbajtësore”, thotë zoti Neziri.

BDI-ja po hyn në fushatë me një retorikë për rrezikun që i kanoset vendit nga ndikimet keqdashëse dhe hibride ruse, ndërsa opozita shqiptare ka për qëllim kryesor ta fitojë BDI-në, e cila po bën njëzet vjet në pushtet.

Maqedonia e Veriut është demokraci parlamentare megjithëse presidenti zgjidhet në votime të drejtpërdrejta, kompetencat e tij janë të kufizuara.

Partitë shqiptare prej tani ngulin këmbë që presidenti të zgjidhet në parlament me dy të tretat e votave, por për këtë mbase duhet pritur mandatin e radhës.

Zoti Neziri thotë se kjo kërkesë është e kahershme e partive shqiptare për të shtuar gjasat që në postin e presidentit të ulet një shqiptar, ndërsa nuk shikon shumë shpresa te vetë garuesit dhe partitë shqiptare në garën e pritshme. Analisti ka dilema mbi efektshmërinë e ofertës së tyre për të votuar idenë dhe jo kandidatin:

“Është një lloj paradoksi sepse edhe BDI-ja edhe VLEN-i kanë dalë me kandidatët e tyre, ndërkohë që kërkojnë ndryshimin e sistemit zgjedhor për zgjedhjen e presidentit. Në një farë forme, kanë filluar garën me një pesimizëm, me një rezultat që prej tani e parashikojnë se nuk do t’ia arrijnë qëllimit. Por po promovojnë se nëpërmjet këtyre votave që do të grummbullojnë, do të tentojnë të artikulojnë kërkesën e tyre për ndryshim të Kodit zgjedhor, pra për ndryshimin e mënyrës së zgjedhjes së presidentit”, thotë në një bisedë me Zërin e Amerikës, analisti Xhelal Neziri. /VOA