Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Maqedonia Veriore pret sqarim nga Serbia, pas kërcënimeve nga ministri për njohjen e Kosovës

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani ka reaguar pasi ministri serb i mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, tha se Mali i Zi e Maqedonia do të goditen sikur Ukraina, pasi që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Ai tha se Maqedonia e Veriut refuzon ndërhyrjen dhe vërejtjet e papërshtatshme nga zyrtarët fqinjë dhe se është në pritje të një sqarimi nga ministri serb, shkruan teve1.info

“Maqedonia e Veriut refuzon ndërhyrjen dhe vërejtjet e papërshtatshme nga zyrtarët fqinjë. Ne qëndrojmë për stabilitet dhe bashkëpunim rajonal, duke përfshirë Serbinë dhe Kosovën. Në pritje të sqarimit nga ministri i Mbrojtjes i Serbisë”, ka shkruar Osmani në X.

Ndryshe, reagim të tillë ka pasur edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Rama ka thënë se këto kërcënime janë “të rrezikshme” dhe “të papranueshme”.

“Të mos harrojmë se Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë aleatë të NATO-s plotësisht të përkushtuar ndaj sigurisë dhe integritetit territorial të njëri-tjetrit”, ka shkruar kryeministri i Shqipërisë.

Tutje ai ka shkruar se nuk do të lejohet asnjë shtet “të na tërheqë prapa në të shkuarën”.

“Ne kemi arritur në dekadën e fundit në këtë rajon atë që askush nuk mund ta imagjinonte në dekada të pafundme më parë dhe nuk mund dhe nuk do të lejojmë askënd të na tërheqë prapa në të shkuarën që po e lëmë pas përgjithmonë! Së bashku! Evropa e Madhe është e ardhmja jonë e vetme”, ka shkruar Rama në X.

Rama i reagon Serbisë: Kërcënime të rrezikshme dhe të papranueshme

 

Edhe, presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, e konsideroi “të papranueshme çdo përpjekje nga aktorë të huaj (qofshin nga rajoni apo pjesë të tjera të botës) sikurse tha ai, për të ndërhyrë drejtpërdrejt ose tërthorazi në krijimin e qeverisë në Mal të Zi”.

Ai tha se legjilatura e 28-të e Kuvendit është pasqyrë e vullnetit të qytetarëve të Malit të Zi, të cilët sipas Kushtetutës janë mbartës të sovranitetit.

Edhe deputeti dhe anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Socialistëve të ish-presidentit Milo Gjukanoviç, Andrija Nikoliç tha se zoti Vuçeviç po i bie daulleve të luftës me qëllim të destabilizimit të rajonit./teve1.info